Kurti mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Ukraina, një krim lufte”, ZKM-ja jep detaje - Gazeta Express
string(62) "kurti-mori-pjese-ne-hapjen-e-ekspozites-ukraina-nje-krim-lufte"

Kurti mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Ukraina, një krim lufte”, ZKM-ja jep detaje

Lajme

Gazeta Express

29/04/2024 22:13

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në orët e mbrëmjes, mori pjesë në hapjen e ekspozitës “Ukraina, një krim lufte”, duke theksuar se hapja e saj është vetëm shenja më e fundit e solidaritetit të popullit të Kosovës me atë të Ukrainës, në këtë kohë të vështirë.

Për këtë nëpërmjet një komunikate ka njoftuar zyra e kryeministrit, të hënën.

Lexo Edhe:

“Duke vënë në dukje solidaritetin që populli ynë ka treguar ndaj popullit ukrainas, kryeministri tha se së pari është detyrë dhe përgjegjësi e çdo shteti demokratik, çdo shteti që respekton dhe çmon të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit, që të solidarizohet me Ukrainën kundër pushtimit ilegal të Rusisë, si dhe ta ndihmojë atë me çdo mjet që e kemi në dispozicion. Ai tha se sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është edhe sulm i autokracisë ndaj demokracisë”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Më pas tregohet se Kosova solidarizohet me Ukrainën, që gjendet në luftë mbrojtëse pasi nisi pushtimi rus shkurtin e vitit 2022.

“Së dyti, Kosova solidarizohet me Ukrainën, sepse krimet që po kryhen në Ukrainën e sotme, janë kryer edhe në Kosovën e viteve ‘90-ta. Dhe kjo është diçka që e veçon popullin e Kosovës prej shteteve të tjera demokratike. Kujtimet tona prej asaj dekade të tmerrshme janë ende të freskëta. Plagët janë ende të hapura”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se gati çdo qytetar i Kosovës ose vetë është viktimë e dëbimit masiv të shqiptarëve në vitin 1999, ose ka të paktën një anëtar të familjes që ka qenë viktimë e dëbimit apo masakrave të kryera nga forcat serbe”, thuhet në njoftim.

“Duke kujtuar krimet e kryera dhe mungesën edhe të 1,597 personave të zhdukur me forcë, familjet e të cilëve, 25 vjet më vonë, po presin që të marrin vesh fatin e të dashurve të tyre, kryeministri tha se Kosova si shtet demokratik, por edhe si një popull që ka një përvojë të ngjashme me atë të Ukrainës, ka një arsye të dyfishtë për t’u solidarizuar me popullin ukrainas”, thuhet në njoftimin e ZKM-së.

Fjala e kryeministrit Kurti:

E nderuara znj. Lura Limani, Drejtoreshë e Kosovës për Open Society Foundations – Western Balkans,

I nderuari z. Andi Dobrushi, Drejtor rajonal i Open Society Foundations – Western Balkans,

E nderuara znj. Svetlana Bachevanova, kuratore dhe botuese e librit,

I nderuari z. Brendan Hoffman, fotoreporter me bazë në Ukrainë,

Të nderuar të pranishëm,

Zonja dhe zotërinj,

Është nder dhe kënaqësi të flas përpara jush, me rastin e hapjes së ekspozitës me titullin “Ukraina, një krim lufte”.

Hapja e kësaj ekspozite në Prishtinë është vetëm shenja më e fundit e solidaritetit të popullit të Kosovës me atë të Ukrainës, në këtë kohë të vështirë. Solidariteti ynë me popullin ukrainas, besoj që i ka dy burime. Së pari, është detyrë dhe përgjegjësi e çdo shteti demokratik — pra çdo shteti që respekton dhe çmon të drejtat e njeriut dhe sundimin e ligjit — që të solidarizohet me Ukrainën kundër pushtimit ilegal të Rusisë, si dhe ta ndihmojë atë me çdo mjet që e kemi në dispozicion. Sepse sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës është edhe sulm i autokracisë ndaj demokracisë, është sulm i perandorisë me nostalgji paramoderne kundër republikës me orientim evropian modern. Lufta në Ukrainë, pra, nuk është vetëm një çështje e thjeshtë mes dy shteteve. Ajo ka implikime për të gjithë botën. Rezistenca e Ukrainës është simbol i qëndrueshmërisë së demokracisë, kundër forcave që kërkojnë shkatërrimin dhe zhdukjen e saj. Rrjedhimisht, një demokraci e fortë dhe e përkushtuar, sikurse se ajo e vendit tonë, Republikës së Kosovës, nuk mund ta injorojë atë që po ndodh sot në Ukrainë.

Së dyti, Kosova solidarizohet me Ukrainën sepse krimet që po kryhen në Ukrainën e sotme, janë kryer edhe në Kosovën e viteve 90-ta. Dhe kjo është diçka që e veçon popullin e Kosovës prej shteteve të tjera demokratike. Kujtimet tona prej asaj dekade të tmerrshme janë ende të freskëta. Plagët janë ende të hapura. Gati çdo qytetar i Kosovës ose vetë është viktimë e dëbimit masiv të shqiptarëve në vitin 1999, ose ka të paktën një anëtar të familjes që ka qenë viktimë e dëbimit, torturimit apo masakrave të kryera nga forcat serbe të regjimit të Millosheviqit. Po ashtu, prej luftës së fundit në Kosovë, janë ende 1,597 persona të zhdukur me forcë, familjet e të cilëve, 25 vjet më vonë, po presin që të marrin vesh fatin e më të dashurve të tyre. Kosova, pra, si shtet demokratik, por edhe si një popull që ka një përvojë të ngjashme me atë të Ukrainës, ka një arsye të dyfishtë për t’u solidarizuar me popullin ukrainas. 

Këtë solidaritet, gjatë dy viteve të fundit, e kemi shprehur jo vetëm me fjalë, por edhe me vepra. Prej fillimit të luftës, Qeveria jonë ka miratuar 11 pako të sanksioneve nga BE, ndaj Rusisë, Bjellorusisë dhe përfaqësuesve të tyre. Vitin e kaluar, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, i jemi bashkëngjitur Deklaratës së Vendeve G7 për Mbështetjen e Ukrainës. E në drejtimin ushtarak, kemi trajnuar 100 ukrainas në fusha të ndryshme, siç janë deminimi, kërkim-shpëtimi dhe mbrojtja kundër-kimike, atomike dhe biologjike. Po ashtu, kemi ofruar dy pako të ndihmës ushtarake për forcat ukrainase, duke përfshirë 30 automjete dhe 10 mijë predha mortajash. Ndihma jonë nuk ka munguar as për civilët. Jemi treguar të gatshëm për të ofruar strehë për 5,000 refugjatë nga konflikti dhe kemi mirëpritur 18 gazetarë në vendin tonë si pjesë e programit “Gazetarët në rezidencë”, duke ua dhënë një vend të sigurt për të kryer punën e tyre, për të nxjerrë para syve të botës të vërtetën për brutalitetin e agresionit ushtarak, invazionit të paprovokuar, pushtimit ilegal të Rusisë. 

Në këtë drejtim, ekspozita që po hapet sonte në Prishtinë, është me rëndësi të veçantë. Sepse e vërteta tregohet, edhe përhapet, jo vetëm me fjalë, por edhe me artin, sidomos me artet pamore, siç janë piktura dhe fotografia. Ekspozita e sotme zë vend në një traditë të gjatë dhe të shquar artistësh, të cilët po ashtu kanë treguar të vërtetën për tmerret e luftës kundër popullësive civile në vende të ndryshme anë e kënd botës. Kush mund të harrojë, për shembull, veprën më të famshme të Pablo Picasso, Guernica të vitit 1937, një pikturë e cila shpërfaq, në stilin kubist, horrorin e bombardimit të fshatit me këtë emër, prej forcave naziste dhe fashiste? Në të njëjtën traditë, 35 vjet më pas, fotografi amerikan, Nick Ut, me imazhin e së ashtuquajturës “Napalm Girl”, ka dëshmuar vuajtjet traumatike që Lufta në Vietnam ia ka shkaktuar popullatës civile të atij vendi. Kjo fotografi njihet, edhe sot, më shumë se 50 vjet më vonë, si një ndër imazhet më ikonike të shekullit XX.

Nuk mund të lë të papërmendur as fotografët e guximshëm që kanë qëndruar në Kosovë gjatë luftës së viteve 1998–99, të cilët dokumentuan se çfarë po përjetonin shqiptarët e Kosovës nga forcat ushtarake, policore e paramilitare të Serbisë. Janë qindra fotografi që tregojnë, ndoshta edhe më mirë sesa fjalët, të vërtetën e asaj kohe. Mes të tjerash, për shembull, është një fotografi e dy fëmijëve të vegjël duke qarë pas vrasjes së prindërve të tyre, një tjetër fotografi me qindra refugjatë duke u dëbuar nga vendi ynë dhe një tjetër që paraqet një radhë të gjatë civilësh, sikur të pafundme, duke mbajtur në supe dhjetëra arkivole me viktimat e masakrës së Reçakut.

Ekspozita e sotme është vazhdimësi e kësaj tradite, por është e veçantë edhe për një arsye tjetër. Veprat më të mira të artit fotografik jo vetëm se tregojnë të vërtetën për të kaluarën, por edhe nxisin veprimet në të ardhmen, duke shërbyer si një urë ndërlidhëse mes asaj që ka ndodhur në njërën anë, dhe asaj që mundet, edhe duhet, të ndërmerret në anën tjetër. Vetë titulli i kësaj ekspozite, “një krim lufte”, flet edhe për të kaluarën, edhe për të ardhmen. Sepse krimi i luftës është kategori jo vetëm morale, por edhe juridike. Krimet e luftës, si të gjitha krimet, kanë përgjegjës dhe kryes. Kjo ekspozitë, pra, na drejton kah e ardhmja, na udhëzon që të mos ndalemi, derisa të gjithë përgjegjësit dhe kryesit e këtyre krimeve të tmerrshme të përgjigjen para drejtësisë.

Beteja për drejtësi është edhe një pikë tjetër e përbashkët ndërmjet Kosovës dhe Ukrainës. Ka shumë e shumë masakra të kryera në Kosovë, për të cilat asnjë zyrtar i Serbisë nuk është gjykuar e dënuar, as edhe akuzuar madje, duke përfshirë masakrën e Burgut të Dubravës, për të cilën shumëçka dëfton se u krye me urdhër të drejtpërdrejtë prej niveleve më të larta të Qeverisë së Serbisë, e të cilës pas tri javëve do t’ia shënojmë 25-vjetorin. Prej 25 vjetësh, kryesit dhe urdhërdhënësit e këtij krimi monstruoz nuk janë nxjerrë para asnjë gjykate. Uroj që beteja për drejtësi për popullin e Ukrainës të mos vonohet për dekada me radhë, siç është vonuar në Kosovë.

Kjo ekspozitë, e cila në vendin tonë hapet sot për herë të parë, është një kontribut i vyer në këtë drejtim.

Ju falemnderit!