Kurti deklaronte: Me Serbinë duhet të negociojmë ashtu siç negocioi Adem Jashari - Gazeta Express
string(79) "kurti-deklaronte-me-serbine-duhet-te-negociojme-ashtu-sic-negocioi-adem-jashari"

Lajme

Gazeta Express

14/07/2021 12:16

Kurti deklaronte: Me Serbinë duhet të negociojmë ashtu siç negocioi Adem Jashari

Lajme

Gazeta Express

14/07/2021 12:16

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të hënën do të takohet për herë të dytë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në një raund të ri të dialogut që ka rinisur më 15 qershor. Fuqitë ndërkombëtare u kërkojnë të dyve të negociojnë për ta arritur një kompromis që do të sillte marrëveshjen finale, e cila synohet të jetë zgjidhja përfundimtare për problemet mes dy vendeve.

Vite më parë, kur ditën e natën mblidhte aktivistë rrugëve të Prishtinës për t’i kundërshtuar negociatat me Serbinë, opozitari shumë i zëshëm, Albin Kurti u thoshte atyre se me Beogradin duhet të negociohet ashtu siç kishte bërë Adem Jashari në luftë, shkruan Express.

“A e dini qysh ka negociu Adem Jashari me Serbinë?”, pyeste Kurti, ndërsa një aktivist, i cili donte ta dëgjonte më të plotë idenë e Kurtit, e pyeste “Qysh?”.

“Eh qajo është puna”, i ishte përgjigjur Kurti atij në këtë rast, duke lënë të nënkuptohet krejt qartë për çfarë “negociatash” e kishte fjalën.

Themelimi i Lëvizjes Vetëvendosje, dhe vetë emri që iu vendos kësaj lëvizjeje politike të Albin Kurtit, karakterizohej me qëllimin e vazhdueshëm që Kosova të mos ulej asnjëherë për të diskutuar me palën serbe.

Grafitet “Jo Negociata – Vetëvendosje!”, që edhe sot qëndrojnë në gjithëfarë objektesh nëpër Kosovë, ishin fushata më e gjatë që LVV-ja e kishte bërë për t’i kundërshtuar bisedimet me Serbinë.

Por në ditën kur u zgjodh kryeministër, Albin Kurti e kishte pranuar se nuk mund të bëhet progres në asnjë fushë tjetër nëse nuk ka progres në dialog. Para kësaj seance, ai nuk e konsideronte prioritet të tij këtë çështje. Ai beson se qytetarët e kanë zgjedhur t’u marrë më shumë me çështjet tjera, ndër të cilat përmend menaxhimin e pandemisë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit si dhe hapjen e vendeve të reja të punës.

Në ekspozenë e tij të shpalosur para deputetëve, Kurti kishte thënë se nuk mund dhe nuk do të bëhet asnjë kompromis me Serbinë, ndonëse një muaj para asaj dite, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken në një letër urimi për Serbinë, theksonte marrëveshjen gjithpërfshirëse, duke përmendur një kompromis që do të kërkohet nga të dy palët për arritjen e njohjes reciproke.

Deklaratat e Kurtit pas zgjedhjeve se dialogu s’është prioriteti i tij i kishin shqetësuar autoritetet në Berlin, Paris e Washington, i cili është sponsori kryesor ndërkombëtar i Kosovës. Departamenti i Shtetit kishte thënë se duan ta inkurajojnë Qeverinë e re të Kosovës për t’i bërë negociatat me Serbinë prioritet në rrugën e njohjes ndërkombëtare.

Deri më tani, Kurti ka treguar jo pak neveri ndaj kompromiseve në negociatat me Beogradin. Megjithatë, atij ia rikujtojnë gjithnjë se këtë do t’i duhet ta bëjë.

Advertisement
Advertisement
Advertisement