Real Madrid ka pësuar një goditje të dyfishtë pasi Arda Güler dhe Éder Militão janë përjashtuar për pjesën e mbetur të sezonit për shkak të lëndimeve në kofshë, konfirmoi klubi.
Sipas burimeve të klubit, të dy pritet të mungojnë rreth katër javë, por duhet të rikuperohen në kohë për Kupën e Botës, e cila nis pas më pak se 50 ditësh.
Problemi i Güler ndodhi në seancën e fundit stërvitore para përballjes së së premtes me Real Betis. Shqetësimet muskulore e detyruan mesfushorin turk të qëndrojë në palestër dhe të mungojë në stërvitjen me grupin, ndërsa testet e mëvonshme konfirmuan një dëmtim në muskujt e kofshës së këmbës së djathtë.
Lëndimi i Militão ishte më i menjëhershëm dhe më i dukshëm. Mbrojtësi brazilian ndjeu një tërheqje gjatë një dueli pak para përfundimit të pjesës së parë në ndeshjen e së martës kundër Deportivo Alavés dhe menjëherë kërkoi zëvendësim.
Ndërsa trajneri Álvaro Arbeloa fillimisht u shpreh optimist pas ndeshjes, një skanim MRI më pas zbuloi një dëmtim në muskujt e kofshës së këmbës së majtë të Militão.
Ky është një tjetër problem për mbrojtësin brazilian, i cili ka kaluar një seri lëndimesh në sezonet e fundit, përfshirë këputje të ligamentit ACL në dy vite radhazi.
Me gjashtë ndeshje të mbetura, FC Barcelona kryeson renditjen e La Ligës me 82 pikë, nëntë më shumë se Reali që ka 73. Të dy skuadrat përballen në një El Clasico në “Camp Nou” më 10 maj, ku Barcelona mund të sigurojë titullin për të dytin sezon radhazi nëse fiton ndaj rivalit të përhershëm.