Kur një prokuror gabon në lexim, gabon në drejtësi - Gazeta Express
string(49) "kur-nje-prokuror-gabon-ne-lexim-gabon-ne-drejtesi"

OP/ED

Gazeta Express

05/05/2026 16:39

Kur një prokuror gabon në lexim, gabon në drejtësi

OP/ED

Gazeta Express

05/05/2026 16:39

Nga një fjali publike në procedurë penale, rasti i prokurorit Arianit Salihu dhe kufiri i rrezikshëm mes interpretimit dhe ligjit

Shkruan Baton Haxhiu

Një prokuror në Gjykatën Themelore, me emrin Arianit Salihu kishte autorizuar dy hetues që të më intervistonin për një deklaratë publike timen, duke e kthyer një analizë politike në objekt procedurial. Sot isha në hetuesi. Dhe ajo që pashë nuk ishte vetëm një procedurë, por një keqkuptim që ka marrë formë institucionale.

Nuk isha atje për një veprim, për një fakt, apo për një ngjarje që kërkon zbardhje. Isha për një fjali dhe për ta respketuar institucionin edhe pse iu bëra të qartë se kjo është për të ardhur keq.
Një fjali të thënë publikisht, në një studio televizive, në një kontekst të plotë, të dëgjuar dhe të kuptuar nga publiku.

Dy hetuesit ishin korrektë. Profesionalë. Dhe në një moment, në një bisedë që kaloi përtej formalitetit, më thanë se kjo lëndë ishte inicuar nga prokurori. Dhe se për ta vetë kjo ishte obligim profesional.

Aty ndjeva keqardhje.

Sepse kjo nuk ishte më çështje e një ftese. Ishte çështje e mënyrës se si është lexuar fjala ime.

Dhe kur fjala lexohet gabim nga një qytetar, është keqkuptim. Kur lexohet gabim nga një analist, është debat. Por kur lexohet gabim nga një prokuror dhe kthehet në procedurë, atëherë kemi problem, sepse një prokuror nuk ka luksin e keqleximit.

Ai duhet të dallojë mes fjalës dhe veprimit. Mes metaforës dhe thirrjes. Mes analizës dhe nxitjes.

Në këtë rast, ajo që ka ndodhur mund të ketë vetëm tri shpjegime.

Ose është problem leximi dhe formimi, pra paaftësi për të kuptuar një tekst në tërësinë e tij.
Ose është keqdashje, pra një vullnet për ta shtrembëruar kuptimin e një deklarate.
Ose është shtytje politike, pra përdorim i institucionit përtej qëllimit të tij.

Të trija janë të rënda. Të trija janë të papranueshme. Dhe të trija, për një prokuror, janë katastrofë etike.

Sepse këtu nuk kemi të bëjmë me një deklaratë të fshehtë. Kemi të bëjmë me një analizë publike. Dhe analiza publike nuk lexohet me pincetë, por lexohet në tërësi.

Për këtë arsye po ju drejtohem juve prokuror Arianit, Jo për të mbrojtur veten time sepse kjo është e thjeshtë në këtë rast. Por me erdhi keq për ty dhe prokurorine.

Po ju drejtohem për të mbrojtur një standard që është më i madh se çdo individ. Sepse në momentin që një prokuror fillon të hetojë mënyrën se si flitet, dhe jo atë që bëhet, ai largohet nga ligji dhe hyn në interpretim, dhe për dijeninë edhe formale, interpretimi i fjalës nuk është kompetencë penale.

Më poshtë po ju rikujtoj tekstin që iu lash hetuesve, i cili mbetet i pandryshuar dhe përfaqëson në tërësi qëndrimin tim. Ky tekst ishte mesazh për ty zoti prokuror, Arianit Salihu.

Ajo që më shqetëson në këtë rast nuk është ftesa në vetvete, por logjika mbi të cilën është ndërtuar ajo.

Ju prokuror, Arianit Salihu, keni marrë një fragment të shkëputur nga një analizë e plotë politike dhe e keni zhvendosur nga konteksti i saj natyror, për ta trajtuar si objekt hetimi. Kjo nuk është thjesht një keqinterpretim. Është një mënyrë e rrezikshme e të kuptuarit të fjalës publike.

Sepse fjala në një shoqëri demokratike nuk lexohet në fragmente të izoluara, por në kuptimin e saj të plotë. Ndryshe, çdo metaforë mund të kriminalizohet, çdo kritikë mund të kthehet në dyshim penal, dhe çdo analizë politike mund të trajtohet si rrezik.

Deklarata ime është e qartë për këdo që e lexon në tërësi. Unë them shprehimisht: “kërkush s’po flet më për krizën… ne kemi humbur shumëçka në këtë vend dhe merremi me procedura”, duke vendosur kontekstin e një kritike ndaj gjendjes së përgjithshme dhe jo ndaj rendit ligjor.

Më tej, artikuloj dy rrugë që janë brenda logjikës demokratike: “o le t’ia japin njeriut 80 vota, o le të tregojnë se ky nuk është i gatshëm të qeverisë”, që është një referencë e qartë ndaj funksionimit parlamentar dhe legjitimitetit politik, jo ndaj ndonjë veprimi jashtëligjor.

Edhe shprehja e përdorur “hiqeni qafe në çfarëdo mënyre” është pjesë e një gjuhe figurative politike, e cila menjëherë sqarohet nga vetë konteksti: “ose jepjani 80 vota, ose largojeni të qeverisin të tjerë”, pra përmes mjeteve demokratike dhe kushtetuese.

Madje, në fund e bëj të qartë kufirin: “sistemi jonë kushtetues nuk e lejon këtë punë, nuk e mundëson”, që është afirmim i drejtpërdrejtë i rendit kushtetues, jo mohim i tij.

Në këtë kuptim, nuk kemi të bëjmë me një deklaratë që kërkon hetim, por me një analizë politike që kërkon lexim të plotë. Transformimi i një analize të tillë në objekt procedurial nuk është vetëm keqinterpretim, por një zhvendosje problematike e kufirit mes fjalës së lirë dhe ndërhyrjes institucionale.

Nëse kjo mënyrë të lexuari bëhet standard, atëherë nuk kemi më problem me një deklaratë, por me vetë hapësirën e mendimit të lirë. Dhe kjo është ajo që e bën këtë rast një precedent të rrezikshëm.

Sepse një shtet që fillon të hetojë mënyrën se si flitet, dhe jo atë që bëhet, hyn në një territor ku kufiri mes drejtësisë dhe kontrollit mbi mendimin fillon të zbehet. Dhe kjo, për vetë institucionet, është një rrugë e gabuar.

Unë nuk kam asnjë hezitim për të sqaruar çdo gjë që kam thënë. Përkundrazi. Por po aq e rëndësishme është të sqarojmë edhe këtë: analiza politike nuk është objekt penal dhe nuk mund të trajtohet si e tillë.

Kjo nuk është një çështje personale, por Është një provë për mënyrën se si drejtësia e kupton kufirin e saj.

Dhe nëse ky kufi fillon të ndërtohet mbi keqlexime, atëherë problemi nuk është tek fjala. Është tek autoriteti që e lexon atë. Tek një prokuror si Arianit Salihu që dëshiron autoritet mbi asigjë. Dhe në boshllëk nuk ngritet autoritet.

P.S. Deklarata ime e plotë në T7

Kërkush s’po flet më për krizën. As për mirëqenien, as për mënyrën se si jeton një qytetar. Nuk po flitet për infrastrukturën, qoftë arsimore, qoftë shëndetësore, as për atë rrugore, as për energjinë. Ne kemi humbur shumëçka në këtë vend dhe ndërkohë merremi me procedura. Kjo është për të ardhur keq.

Ajo që dua të them është kjo. Qytetarët duhet të përgatiten për dy mundësi. Ose t’ia japin njeriut 80 vota. Ose të tregojnë se ky nuk është i gatshëm të qeverisë. Sepse kjo nuk ka më kuptim. Qytetarët po luajnë me veten.

“Hiqeni qafe në çfarëdo mënyre” është një thirrje e shprehur në gjuhë politike figurative, e cila sqarohet menjëherë: ose jepjani 80 vota, ose largojeni dhe lejoni të tjerët të qeverisin. Sepse jemi lodhur.

Ky, prej dy vjetësh e gjysmë, po qeveris jashtë procedurave. Metafora e “80-shit” nënkupton pikërisht këtë lodhje kolektive, pritjen e pafund që një njeri të realizojë një model pushteti të ngjashëm me Edi Ramën, Mickockin ose Vuçiçin.

Por kjo nuk është e mundur. Sistemi ynë kushtetues nuk e lejon këtë. Nuk e mundëson.

Advertisement
Advertisement
Advertisement