Ditë pushimi sot, por krejt java osht e MBUSHUN me ngjarje nga më të ndryshmet në mbarë Kosovë. Qe edhe një Monday Marks me rekomandimet kryesore nga arti, muzika, teatri, letërsia. Shihemi nëjkah!
Java që po vjen sjell plot e përplot arsyje me dalë, me kcy, me reflektu e me kriju. Edicioni i 16-të i festivalit ndërkombëtar Polip Festival po e zgjeron programin prej poezisë drejt teatrit dhe ekologjisë. Në Pejë, “Aty ku ra drita” titullohet ekspozita personale e artistes Rina Krasniqi, ndërsa në Mitrovicë të Veriut, “I Will Not Be Sitting in Silence” nga Zana Begolli e vendos artin në shërbim të dukshmërisë dhe rezistencës queer në prag të IDAHOBIT. Knej kah Prishtina BB Poqi mban koncert n’Klan Arena.
Tjetër? Java e Terapisë së Artit po e përdor kreativitetin si mënyrë për me folë për shëndetin mendor. Për ata që duan me kriju me duar, Punëtoria e qeramikës në Molos Studio ofron dy ditë modelimi me qeramikë, ndërsa Aperitivo Afternoon kombinon venën, ushqimin dhe punën me dyll në një pasdite relaksuse e pak hedoniste. Padel Zone feston ditlindjen me muzike e padel.
Edhe natën keni plot çka me bo: Marcel Dettmann sjell Berghainin në Prishtinë, ndërsa humori vjen me dy natë: Stand-up Prishtina në AMC dhe mbramjen e Anton Bello në Lavjerr’s. Mos ta harrojmë se në Prizren, trupa amerikane Ballet Magnificat sjell baletin “Stratagem”, një performancë mbi përballjen mes të mirës dhe të gabuarës.
Jashtë Kosovës, Elina Duni rikthehet në Tiranë me koncertin “Reaching for the Moon”, ndërsa në Shkodër, Eda Zari dhe KULT 360 Collective e transformojnë stacionin e vjetër të trenit në instalacion performativ me “Terminal. Vini re, vini re!”.
E krejt në fund, arti hyn edhe në garderobë përmes bashkëpunimit mes Galeria Qahili dhe Shigi Studio, ku punët e artistëve shndërrohen në shami që mundeni m’i veshë.