Artistja e famshme kosovare e ka dhanë një intervistë interesante portalit kulturor “Suzanne”, që prodhon edhe podkastin Suzanne i cili emitohet në T7 çdo të premte.
E lindun në Prishtinë dhe tash tu jetu mes Berlinit dhe Kosovës, Flaka Haliti është shndërru në njanën prej artisteve ma guximtare intelektualisht dhe ma të njohuna ndërkombëtarisht të gjeneratës së saj. Tue përfaqësu Kosovën në Bienalen e 56-të të Venecias, Haliti u shfaq si një za i fuqishëm që din me i transformu temat si kufijtë, militarizimi, identiteti dhe zhvendosja në instalacione poetike, shqetësuese dhe shpesh çuditërisht humoristike, me përmasa monumentale.
Puna e Flakës lëviz mes skulpturës, fotografisë, tekstit, performancës dhe ndërhyrjeve hapësinore në shkallë të madhe, shpesh tue përdorë materiale të zakonshme të ngarkume me kujtesë politike — prej mbetjeve të braktisuna ushtarake të KFOR-it në Kosovë, te telat e brishtë, gardhet, çeliku inox i lëmuet, hijet dhe format e ajrosuna që duken sikur notojnë. Nëpër krejt këto forma të ndryshme shprehjeje artistike, Flaka mbetet gjithmonë lozonjare, melankolike dhe provokuese.
Puna e saj duket thellësisht personale, por në nji mënyrë që të fton me ia deshifru botën e brendshme, e cila refuzon me dhanë shpjegime të lehta. Në të njajtën kohë, ajo mundet me qenë krejtësisht gjeopolitike — aty ku emocionalja bahet politike dhe abstraksioni vetë shndërrohet në gjuhë rezistence.
Në këtë bisedë TenTen, ajo kalon krejt natyrshëm prej Rexhep Ferri te Jacques Derrida, prej playlistave të palestres te estetika e utopisë komuniste të Josip Broz Tito. Tue shënu Ditët e Gjuhës Gjermane, folëm edhe për përvojën e saj në Gjermani. Flaka dhe motra e saj, Oda Haliti, janë ba prej kohësh pjesë e pandashme e urës kulturore mes Kosovës dhe Gjermanisë.