Kryeprokurori u zgjodh me hile - pas reagimeve të SHBA, BE e Gjermanisë vështirë se do të dekretohet - Gazeta Express
string(97) "kryeprokurori-u-zgjodh-me-hile-pas-reagimeve-te-shba-be-e-gjermanise-veshtire-se-do-te-dekretohet"

Kryeprokurori u zgjodh me hile – pas reagimeve të SHBA, BE e Gjermanisë vështirë se do të dekretohet

Lajme

Gazeta Express

07/04/2022 17:54

Bashkimi Europian dhe specifikisht Gjermania e Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuese mënyrën se si Këshilli Prokurorial e ka zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit. Tri organizata joqeveritare kërkuan që presidentja Vjosa Osmani të mos e dekretojë Isufajn, për të cilin votuan të gjithë anëtarët e KPK-së.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Shefi i Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog reagoi i befasuar pas mbledhjes së KPK-së të mërkurën.

“Pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme për të siguruar një përzgjedhje fer, transparente dhe të bazuar në merita, të kryeprokurorit të Shtetit, Këshilli Prokurorial i Kosovës e përmbylli procesin duke mos i respektuar këto parime. I befasuar dhe i zhgënjyer me veprimet e KPK-së”, tha Szunyog përmes një reagimi në Twitter.

Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, shprehu po ashtu zhgënjimin e tij për vendimin e KPK-së për ta zgjedhur Blerim Isufajn Kryeprokuror.

“Kjo është me të vërtetë zhgënjyese dhe jo rruga e duhur për të ecur përpara. Sidomos kur OJQ-të e njohura të Kosovës, si Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe GLPS, kanë shprehur shqetësime të ngjashme”, shkroi Rohde.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, tha sot se pritjet e SHBA-së në këtë proces kanë qenë që ai të jetë “i drejtë, objektiv, transparent dhe i bazuar në merita”.

“Fakti që anëtarët e KPK-së nuk i kanë marrë parasysh ankesat legjitime dhe rekomandimet e Panelit Shqyrtues nuk përmbushin këtë standard. SHBA-ja nuk ka pasur një kandidat të preferuar dhe as nuk kemi paragjykuar kualifikimet individuale të kandidatëve”, tha Hovenier përmes një postimi në Twitter.

Ambasadori Hovenier tha se prezenca e përfaqësuesve të ambasdës gjatë seancës së 6 prillit, ku KPK-ja në mënyrë unanime nominoi Blerim Isufajn për postin e kryeprokurorit të Shtetit, nuk duhet të shihet si mbështetje e SHBA-së për këtë proces.

“Ne jemi të shqetësuar me mënyrën KPK-ja ka kryer këto procedura dhe ka dëmtuar besimin e publikut të Kosovës dhe besimin tonë ndaj KPK-së si institucion publik”, tha Hovenier.

Propozimi i Blerim Isufajt nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Kryeprokuror të Shtetit është i papranueshëm edhe për tri organizata joqeveritare, Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL.

“Ky propozim për emërim të Blerim Isufajt si Kryeprokuror i Shtetit bëhet nga Këshilli Prokurorial megjithëse organizatat kyçe të vendit që merren me monitorimin e sistemit të drejtësisë, kishin tërhequr vërejtjen se procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Shtetit kishte një varg mangësish të cilat cenonin integritetin e procesit”, thuhet në komunikatën e tyre të përbashkët.

Kryesuesi i Komisionit për Legjislacion, Adnan Rrustemi I VV’sw duke iu pwrmbajtur vijws partiake shkoi edhe mw tej duke thwnw se shteti “ende është i kapur përbrenda”.

“Pardje Rrahman Jashari në arsim dhe sot Blerim Isufaj në kryeprokurori e Agim Ademi në futboll tregojnë që ende është i kapur përbrenda shteti i Kosovës. Akoma kemi shumë punë që ndryshimi i madh popullor i 14 shkurtit 2021 të bëhet edhe demokratizim i shtetit tonë”, shkroi Rrustemi të mërkurën në Facebook.

Presidentja Vjosa Osmani, sipas ligjit duhet ta bëjë emërimin e Kryeprokurorit me dekret, por mund edhe të mos e bëjë. IKD, GLPS dhe Lëvizja FOL i kanë bërë thirrje asaj që gjatë vlerësimit, t’i ketë parasysh mangësitë e theksuara në këtë proces.

Të mërkurën, Blerim Isufaj është përzgjedhur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për ta pasuar Aleksandër Lumezin në instancën më të lartë të ndjekjes në vend. Të gjithë anëtarët e KPK-së (11) e votuan për kryeprokuror ish-kryesuesin e këtij institucioni, i cili paraprakisht ishte vlerësuar me numrin më të madh të pikëve (98) nga paneli vlerësues.