Legjenda e Real Madridit, Toni Kroos, ka ndarë mendimet e tij për situatën aktuale te gjiganti spanjoll gjatë një interviste në kanalin YouTube të Romarios. Ish-mesfushori gjerman theksoi presionin e jashtëzakonshëm që ekziston në Madrid, veçanërisht për trajnerët.
“Sfida më e vështirë për një trajner është të drejtojë Real Madridin. Edhe kur fiton, askush nuk është plotësisht i kënaqur. Nëse barazon ose humb, kritikat vijnë menjëherë. Trajneri nuk ka kohë, duhet të japë rezultate menjëherë,” u shpreh Kroos, duke shtuar se është i bindur në cilësitë e Xabi Alonsos për ta drejtuar skuadrën. Sipas tij, Xabi e njeh shumë mirë peshën dhe kërkesat e klubit, edhe pse durimi në Madrid është gjithmonë i vështirë.
Kroos foli gjithashtu për rëndësinë që ka pasur Real Madridi në karrierën e tij, duke e cilësuar si klubin më të madh ku ka luajtur ndonjëherë.
“Kam pasur fatin të luaj për 10 vite te klubi më i mirë në botë. Periudha te Real Madridi ishte më e suksesshmja dhe aty jam ndier më shumë si në shtëpi. Klubi ishte si një familje e madhe. Ato ishin vitet më të mira të karrierës sime,” tha ai.
Në fund të intervistës, Kroos zgjodhi finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Juventusit si ndeshjen më të mirë që ka zhvilluar ndonjëherë, ndërsa Cristiano Ronaldon e cilësoi si lojtarin më të madh me të cilin ka pasur fatin të luajë. /GazetaExpress