Pesë trupa të pajetë u gjetën pasditen e së martës në një shtëpi në Gjilan. Sipas dyshimeve të para nga vendngjarja, Valdete Bllaca, zyrtare e Policisë së Kosovës, ka shtënë me armë zjarri drejt prindërve dhe dy vëllezërve të saj. Deri më tani janë dhënë dy versione për vrasjet, një nga fqinjët e një nga organet kompetente. Ndërkaq, ende nuk dihen rrethanat që kanë çuar deri te vrasja e katërfishtë e më pas vetëvrasja në familjen Bllaca
Një ngjarje e rëndë ka tronditur banorët e lagjes “Bujanina” të Gjilanit, pasditen e së martës.
Pesë trupa të pajetë u gjetën në shtëpinë e familjes Bllaca. Një armë zjarri u gjet në dorën e Valdete Bllacës, e cila sipas Prokurorisë Themelore në Gjilan, ka vrarë nënën Hanifen, babain Zeqirin, dy vëllezërit Blerimin e Fisnikun, e më pas edhe veten.
Në një konferencë për media ku u deklaruan zyrtarë të policisë, prokurorisë dhe Inspektoratit Policor të Kosovës, u tha se dyshohet se zyrtarja policore ka kryer vrasjen me revolen e saj zyrtare të policisë.
Sipas tyre, arsyet që kanë çuar deri te kjo tragjedi ende nuk janë të njohura.
Express merr vesh se fillimisht Bllaca ka punuar në Prishtinë, në Qendrën e Thirrjeve dhe se para pesë vitesh është transferuar në Gjilan.
“Valdetja është që 18 vite police. Fillimisht ka punuar në Prishtinë për disa vite, në Qendrën e Thirrjeve. Është transferuar në Gjilan para rreth pesë vitesh”, ka thënë një zyrtar policor për Express.
Ndryshe, në vendin e ngjarjes përveç policisë, prokurorit kujdestar dhe mjekëve, kanë arritur edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, drejtori i Departamentit për Operacione, Afrim Ahmeti, dhe drejtori i Departamentit për Hetime, Riza Shillova.
Prokuroria hedh poshtë një version të ri që po qarkullon rreth vrasjeve të sotme në Gjilan
Fqinjë të familjes Bllaca kanë thënë se ishte djali i madh Blerimi ai që kishte shtënë drejt prindërve dhe vëllait Fisnikut.
Dëshmitarët kanë deklaruar se para orës 13:00 e kanë parë Valdeten duke shkuar në shtëpinë e familjes së saj. Sipas tyre, ajo e kishte vrarë më pas vëllain Blerimin dhe në fund kishte bërë vetëvrasje.
Por, këtë version të fqinjëve të familjes Bllaca po e hedh poshtë Prokuroria.
“Për momentin nuk ka asnjë provë që është përdorur revole tjetër. Arma i është gjetur polices”, ka thënë për Gazetën Express zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Gjilan, Liridona Xheladini.
Kjo është policja që vrau 4 familjarët dhe veten në Gjilan
Sipas të dhënave të deritanishme nga Prokuroria dhe Policia e Gjilanit, 45-vjeçarja Valdete Bllaca ka vrarë katër familjarët e saj, e më pas edhe veten.
Tragjedia në Gjilan: Këta janë emrat e të vrarëve
Fqinjët e kësaj familjeje kanë thënë për Express se asnjëri nga fëmijët e çiftit Bllaca nuk kanë qenë të martuar.
Ata kanë treguar se viktimat janë: Zeqir Bllaca (babai), Hanife Bllaca (nëna), Blerim dhe Fisnik Bllaca (vëllezërit)./GazetaExpress/