Gjyqtari rumun Istvan Kovacs do të hyjë në historinë e futbollit në ndeshjen mes Japonisë dhe Tunizisë, pasi do të drejtojë takimin e 1000-të në historinë e Kupës së Botës.
FIFA ka njoftuar se Kovacs do të mbajë një fanellë të veçantë për këtë sfidë, me vija të arta në mëngë dhe me emblemën “Match 1000”. E njëjta fanellë do të përdoret edhe nga asistentët Ferencz Tunyogi dhe Mihai Marica.
Ndeshja Japoni – Tunizi do të zhvillohet në stadiumin e Monterrey-t dhe është cilësuar nga FIFA si një nga momentet historike të turneut.
Shefi i gjyqtarëve të FIFA-s, Pierluigi Collina, tha se Kovacs nuk është zgjedhur vetëm për rëndësinë simbolike të ndeshjes, por sepse konsiderohet si gjyqtari më i përshtatshëm për këtë takim.


“Drejtimi i një ndeshjeje të Kupës së Botës është gjithmonë një privilegj dhe një nder i madh. Të jesh pjesë e ndeshjes së 1000-të e bën këtë edhe më të veçantë”, deklaroi Collina.
Fanella speciale, e prodhuar nga Adidas, është krijuar posaçërisht për këtë rast dhe përmban detaje të arta, përfshirë vijat në mëngë dhe emblemën me trofeun dhe numrin 1000.
Për Kovacs, kjo do të jetë gjithashtu ndeshja e parë në karrierë si gjyqtar kryesor në një Kupë Bote. 41-vjeçari ka drejtuar më parë në Euro 2024 dhe më pas finalen e Ligës së Kampionëve mes Paris Saint-Germain dhe Interit, të fituar 5-0 nga skuadra franceze.
Në këtë Botëror, gjyqtarët kanë marrë vëmendje edhe për një tjetër detaj: logon e Rexona-s të vendosur poshtë sqetullave në fanellat e tyre. Logoja mbetet e fshehur gjatë pjesës më të madhe të ndeshjes, por bëhet e dukshme sa herë që gjyqtari ngre duart për një vendim, karton apo zëvendësim. /GazetaExpress/