Anglia ka marrë një lajm të mirë para ndeshjes së dytë në grup ndaj Ganës, pasi Harry Kane dhe Declan Rice pritet të jenë të gatshëm për lojë.
Shqetësimet u rritën pas fitores 4-2 ndaj Kroacisë, ku Kane realizoi dy gola, ndërsa Rice u zëvendësua në minutën e 72-të dhe u pa duke pasur shqetësime fizike. Pas ndeshjes, Kane u shfaq me fashë të rëndë në këmbën e majtë, gjë që shtoi dyshimet për një lëndim të mundshëm.

Megjithatë, stafi mjekësor i Anglisë ka konfirmuar se gjendja e të dy lojtarëve nuk është serioze. Problemi i Kane lidhej me menaxhimin e ngërçeve muskulore, ndërsa zëvendësimi i Rice ishte vetëm masë kujdesi.
Trajneri Thomas Tuchel shpjegoi se Rice kishte ndjerë shqetësim në pjesën e poshtme të shpinës dhe në pjesën e sipërme të kofshës, ndaj nuk deshi të rrezikonte.
“Declan ndjeu pak shqetësim. Nuk doja të merrja asnjë rrezik, ishte momenti për ta mbrojtur. Në fund më siguroi se është mirë dhe nuk ka asgjë serioze për t’u shqetësuar”, tha Tuchel.

Rikthimi i qetësisë për Kane dhe Rice është një shtysë e madhe për Anglinë. Kane mbetet pika kryesore e sulmit, ndërsa Rice është vendimtar në mesfushë, ku ndaj Kroacisë asistoi nga këndi për golin e dytë të kapitenit anglez.
Anglia tashmë është zhvendosur në Kansas City për përgatitjet e radhës, me Kane dhe Rice që pritet të stërviten normalisht para përballjes me Ganën. “Tre Luanët” hyjnë në këtë ndeshje me besim të madh dhe synojnë një tjetër fitore për të forcuar pozitën në Grupin L. /GazetaExpress/