Kosova mund të prodhojë gaz dhe hidrogjen nga thëngjilli - Gazeta Express

Kosova mund të prodhojë gaz dhe hidrogjen nga thëngjilli

OP/ED

Gazeta Express

07/10/2021 13:22

Aktualisht, Kosova duhet të gjejë mënyra alternative për t’i shfrytëzuar rezervat e mëdha të thëngjillit, të cilat i ka, për prodhimin e gazit dhe të hidrogjenit. 

Pranvera Dobruna Kryeziu

Lexo Edhe:

Diskutimet dhe vendimet për zhvillimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë duhet të bazohen në faktin se Kosova, në vitet e 80-a, ka prodhuar vetë gaz nga thëngjilli për t’i furnizuar hekuranën e Shkupit dhe Ferronikelin. Pra, korridori për zhvillimin e gazsjellësit (tubacionit nëntokësor) tashmë ekziston. Kjo do ta bënte më të lehtë zbatimin e projektit për rritjen e kapacitetit transmetues të gazit deri në diametrin 24’’, për ta përmbushur kërkesën e parashikuar për Kosovën. 

Marrë parasysh se kostoja e ndërtimit të një kilometri të gazsjellësit nuk është më e lartë se €700.000, kjo e bën projektin ekonomikisht edhe më të arsyeshëm. Prandaj, zhvillimi i infrastrukturës së gazit në korridorin ekzistues e mundëson diversifikimin e burimeve të energjisë dhe rritjen e sigurisë së energjisë. Diversifikimi është një tregues i rëndësishëm cilësor dhe e tregon numrin e burimeve energjetike që e realizojnë furnizimin total.

Projektet e energjisë, e sidomos ato të infrastrukturës kritike, duhet të udhëhiqen nga perspektiva e  ekonomisë dhe nevojës për pavarësi energjetike duke i plotësuar standardet mjedisore e jo të udhëhiqen vetëm nga shqetësimet mjedisore. Andaj, krahas zhvillimit të  burimeve të ripërtëritshme dhe zvogëlimit të përqindjes së thëngjillit në kombinimin energjetik, duhet të ketë ekspertizë të mjaftueshme për trajtimin e gazit si një alternativë tranzicionale dhe për përcjelljen e trendeve të  zhvillimit të teknologjive në botë për gjenerimin e energjisë elektrike nga gazi dhe hidrogjeni (të prodhuar nga thëngjilli).

Kosova duhet të bashkëpunojë me vendet e pasura me thëngjill, si me Poloninë, e cila e ka përcaktuar  afatin për mbylljen e termocentralit më ndotës në Evropë deri në fund të vitit 2036, si pjesë e një plani për tranzicion të drejtë energjetik, por jo edhe të minierave të thëngjillit. Ky zotim pritet  t’i paraqitet Komisionit Evropian në mënyrë që Polonia të ketë qasje në Fondin e BE-së, “Vetëm për Tranzicionin’’, prej 17.5 miliardë eurosh. Kosova duhet të kërkojë fonde shtesë nga BE-ja për përkrahjen e tranzicionit të energjisë si proces, jo vetëm për mbylljen e Termocentralit Kosova A. Gjithashtu, duhet marrë në kondideratë qasjen përkrahëse të Polonisë për prodhimin e gazit nga thëngjilli, për të siguruar karburant ekologjik për industrinë e prodhimit të energjisë. 

Njëkohësisht, duhet marrë për model Australinë, ku studimet e fundit tregojnë se kostoja e hidrogjenit të prodhuar nga thëngjilli, me teknologjinë e kapjes dhe ruajtjes së karbonit (CCS), është sa gjysma e kostos së prodhimit të hidrogjenit të gjelbër (hidrogjeni i gjelbër prodhohet nga elektroliza) hps:// www.iea.org/reports/the-future-of-hydrogen 

Parë nga ky këndvështrim, nevojitet përkushtim më i madh për shfrytëzimin e gatishmërisë së institucioneve financiare ndërkombëtare dhe bankave zhvillimore për të investuar në tranzicionin e energjisë. Teknologjitë dhe inovacionet në treg, që e mundësojnë tranzicionin, janë tashmë në dispozicion.

Edhe sikur sot të fillojnë punimet në rindërtimine infrastrukturës ekzistuese të gazit, do të nevojiten së paku edhe 3 vjet për ta përfunduar këtë fazë e pastaj edhe së paku 3 vite tjera për ndërtimin e elektranës me gaz. Trajtimi i sigurisë se energjisë vetëm përmes këtij projekti është shumë i vonuar.

Pёr Kosovën ёshtё e DOMOSDOSHME tё sigurohet njё burim i energjisё qё prodhon 24 orё energji dhe qё ёshtё fleksibil. Gazi ёshtё pikërisht burimi i energjisë që do ta mundësonte jo vetёm mbulimin e konsumit, qё ёshtё variabil, por do të shërbente edhe si mbështetje për energjinë e ripërtëritshme (qё gjithashtu është shumë variabile). 

Rehabilitimi i Termocentralit “Kosova A” nuk duhet të jetë opsion, sepse duhet bërë investime shumë të mëdha vetëm për ta sjellë atë në standardin e lejuar mjedisor, prandaj edhe është ekonomikisht i paarsyeshëm dhe teknikisht i parealizueshëm. Gjithashtu, mbulimi i konsumit vetëm nga burimet e ripërtëritshme (erës dhe Diellit), në këtë fazë ,pa kapacitete fleksibile, është i pamundshëm.

Sa për ilustrim, për shkak të mungesës së erës,  në Gjermani, nё gjashtë muajt e parë të vitit 2021, u prodhua 25% me pak energji derisa gjenerimi i erës në det të hapur ishte 16% më pak. Por Gjermania ka kapacitete prodhuese fleksibile për ta baraspeshuar sistemin në mungesë të prodhimit të energjisë nga era.

Vetëm me politika refuzuese, kundër projekteve me thëngjill, hidroelektranave dhe infrastrukturës së gazit në Kosovë, deri më tani, pa dhënë asnjë alternativë për diversifikimin e furnizimit me energji, për rezervat për balancimin e sistemit elektroenergjetik, për hendekun e vazhdueshëm midis energjisë në dispozicion dhe konsumit, për besueshmërinë jo të kënaqshme të gjeneratorëve në termocentralet ekzistuese, për mungesën e burimeve fleksibile të energjisë dhe për tranzicionin e energjisë në tërësi, u kemi dhënë afat të mjaftueshëm vendeve të rajonit që ta përshpejtojnë diversifikimin e burimeve te energjisë  dhe zhvillimin e burimeve fleksibile., për t’i përgatitur kapacitetet per eksportim të energjisë elektrike në Kosovë. Kjo do të thotë që, në çdo kohë, vendet e rajonit, që kanë investuar me kohë në diversifikimin e miksit energjetik, mund të eksportojnë energji në Kosovë për ta plotësuar konsumin dhe për rastet kur bien blloqet e termoelektranave , me çmime të papërballueshme për konsumatorin.

Prandaj, konstatimet ditore, që investimet potenciale të MCC-së në infrastrukturën e gazit po bëhen për ta sjellë gazin rus në Kosovë janë deklarata që bëhen në mungesë të njohurive bazike për konceptimit e zhvillimeve globale të burimeve të energjisë dhe të interesave gjeostrategjike të Amerikës në rajon.

Në këtë kontekst, nuk është i rastësishëm interesimi i kompanisë amerikane “Bechtel” për shprehjen e interest për të investuar në elektranat akumuluese reversibile në Shqipëri (Skavica) dhe në Serbi (Gjerdapi), që janë burimi i energjisë më fleksibile ne dispozicion e që është e domosdoshme për sigurinë e energjisë në rajon. 

Përballë kësaj gjendjeje, përmes vendimit për mosinvestim në infrastrukturën e gazit nuk po e zvogëlojmë varësinë nga gazi i importuar, por vetëm po e rrisim varësinë nga energjia elektrike e prodhuar nga burimet fleksibile. Varësia nga burimet fleksibile nga shtetet fqinje në parim nuk paraqet  problem teknik, sepse energji për import do të ketë gjithnjë. Por kostoja e energjisë së importuar në krahasim me koston e energjisë së prodhuar në Kosovë është shumë më e lartë. Jo vetëm që kostoja e energjisë paraqitet problematike, por edhe cenueshmëria e sigurisë kombëtare rritet. Sa për ilustrim, Shqipëria, më 1 tetor 2021, ka blerë energji me çmim €233 për MW, çmim ky që tejkalon në masë të madhe edhe çmimin e gushtit 2021 prej €140 për MW, si rezultat i varësisë nga të reshurat. Në të njëjtën mënyrë, rritja e varshmërisë nga importi i energjisë në Kosovë pritet të vazhdojë deri në momentin kur në sistemin tonë elektroenergjetik të instalohen kapacitete të reja gjeneruese fleksibile si dhe të sigurohen rezervat për balancimin e sistemit, që janë të domosdoshme për operatorin e sistemit (KOSTT) .

(Autorja është eksperte e politikave të energjisë dhe anëtare e Task-forcës së CIGRE-s ndërkombëtare WiE për tranzicionin e energjisë)