Konjufca: Pa luftën e UÇK-së nuk do të ishte arritur liria - Gazeta Express
string(57) "konjufca-pa-luften-e-uck-se-nuk-do-te-ishte-arritur-liria"

Lajme

Gazeta Express

14/05/2021 15:30

Konjufca: Pa luftën e UÇK-së nuk do të ishte arritur liria

Lajme

Gazeta Express

14/05/2021 15:30

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, bëri sot homazhe tek lapidarët e martirëve në fshatrat e Pejës, Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Llabjan, ku më 14 maj të vitit 1999, forcat ushtarake, policore e paramilitare serbe kishin vrarë dhe masakruar rreth 100 civilë shqiptarë të Kosovës.

Në fshatin Qyshk, kryetari Konjufca, pasi vendosi lule te lapidari me emrat e 44 të vrarëve, tha se shteti serb 22 vjet më parë ka kryer aktet e gjenocidit, si në këtë fshat, ashtu edhe në fshatrat dhe lokalitetet tjera gjithandej nëpër Kosovë.

Lexo Edhe:

Për këto masakra, theksoi kryekuvendari Konjufca, deri më tani nuk ka pasur drejtësi dhe përsëriti thirrjen për angazhim institucional që sa më parë të drejtësia të vihet në vend.

“Familjarët e martirëve tanimë 22 vjet kanë jetuar me peshën e rëndë të mungesës së drejtësisë. Prandaj, është detyrë e institucioneve që sa më parë t’i mbledhim të gjitha provat për këto masakra që kanë ndodhur në Kosovë dhe ato të jenë pjesë e ndërtimit të argumenteve për padinë, e cila do t’i bëhet Serbisë për gjenocid”, tha kryekuvendari Konjufca.

Pas Qyshkut, kryetari i Kuvendit, bëri homazhe dhe vendosi lule edhe te varrezat e 14 të rënëve në fshatrat Pavlan dhe Zahaq, ku para familjarëve të tyre tha se që nga shkurti i vitit 1998 e deri në qershor të vitit 1999, Serbia ka kryer në Kosovë mbi 300 masakra, duke vrarë mbi 14 mijë shqiptarë të Kosovës.

Ai tha se drejtësia e ka vlerën e njëjtë po aq sa edhe liria, prandaj ata asnjëherë nuk mund të jenë të qetë për sa kohë kriminelët, që i kanë shkaktuar këto masakra, të jenë të lirë.

“Ne e dimë që ky është çmimi i lirisë, sepse pa gjak dhe pa luftën çlirimtare të UÇK-së nuk do të ishte arritur liria. Por, po ashtu e vlefshme sa liria është edhe drejtësia. Dhe për sa kohë kriminelët lëvizin të lirë, as zemrat, e as shpirtrat e familjarëve dhe martirëve nuk mund të jenë të qetë”, tha kryekuvendari Konjufca.

Kryetari i Kuvendit bëri homazhe edhe në varrezat e fshatit Llabjan, ku prehen trupat e dëshmorëve dhe martirëve të këtij fshati.​