Komsic: Ne në Bosnjë që jemi kundër krimeve e njohim Kosovën shtet, disponimi në Serbi për luftë s’është gjë e mirë - Gazeta Express
string(112) "komsic-ne-ne-bosnje-qe-jemi-kunder-krimeve-e-njohim-kosoven-shtet-disponimi-ne-serbi-per-lufte-seshte-gje-e-mire"

Lajme

Gazeta Express

15/03/2022 12:18

Komsic: Ne në Bosnjë që jemi kundër krimeve e njohim Kosovën shtet, disponimi në Serbi për luftë s’është gjë e mirë

Lajme

Gazeta Express

15/03/2022 12:18

Politikani nga Bosnja e Hercegovina, i cili aktualisht është duke drejtuar Presidencën e këtij shteti, Zeljko Komsic, në një intervistë ekskluzive për Gazetën Express ka folur për agresionin rus në Ukrainë dhe për ndikimin e mundshëm në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Komsic thotë se në rast të kapitullimit ushtarak të Ukrainës, Putini do ta destabilizojë edhe Bosnjën përmes dyshes Dodik-Coviq, dyshe e cila, sipas tij, po synon minimin e procesit zgjedhor që do të mbahet në Bosnje e Hercegovinë në tetor të këtij viti. Ai thotë se qëndrimi i Perëndimit ndaj një zhvillimi të tillë do të tregojë nëse do të lejohet destabilizimi dhe shton se nëse do të ndodhë diçka e tillë me procesin zgjedhor, pasojat s’do të jenë vetëm politike. Votën e Serbisë në Kombet e Bashkuara për rezolutën kundër agresionit rus e sheh si diçka pozitive, megjithatë thotë se frikësohet që shumica në Serbi mendojnë si ata që kanë marshuar rrugëve të Beogradit pro-Rusisë dhe shton se një disponim i tillë për luftë s’është gjë e mirë. Në këtë intervistë politikani boshnjak ka folur edhe për raportet Sarajevë-Prishtinë, çështjen e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Bosnja, dialogun dhe marrëveshjen e mundshme Kosovë-Serbi

Intervistoi: Besnik Velija

Gazeta Express: Pavarësisht faktit se Bosnja nuk e njeh Kosovën si shtet, ju keni zgjedhur që ta uroni Presidenten e Kosovës me rastin e Ditës së Pavarësisë. Cili është përkufizimi juaj për raportet aktuale mes dy vendeve?

Zeljko Komsic: Shumica e qytetarëve të Bosnje e Hercegovinës, sikurse unë personalisht, e shohin Kosovën si një shtet të pavarur dhe sovran. Raportet mes Bosnjë e Hercegovinës dhe Kosovës kanë përparuar në vitet e fundit, pavarësisht faktit se Bosnja e Hercegovina, si rezultat i rrethanave të njohura rënduese, ende nuk e ka njohur zyrtarisht Kosovën. Unë mund të them se si kryesues i Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, kam raporte të shkëlqyera dhe kontakte me institucionet e Kosovës dhe zyrtarët e Kosovës, të cilët gjithashtu kanë një qasje pozitive ndaj Bosnje e Hercegovinës. Bashkë ne ndajmë të njëjtat prioritete për politikën e jashtme, përkatësisht anëtarësimin në NATO dhe BE, dhe jemi të gatshëm të ndihmojmë njëri-tjetrin përgjatë rrugëtimit për aq sa mundemi. E them këtë nga eksperienca e bashkëpunimit me zyrtarët nga Kosova. Ndaras nga politika, sigurisht ne jemi duke punuar ngushtë për përmirësimin e bashkëpunimit ekonomik, sepse unë nuk dua që të lejoj një Serbi që të ketë raporte më të mira ekonomike me Kosovën sesa Bosnja e Hercegovina.

Gazeta Express: Pse Bosnja vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës dhe kur një gjë e tillë mund të ndodhë. Dua të them se çfarë konsensusi politik është i nevojshëm që Bosnja ta njohë pavarësinë e Kosovës?

Zeljko Komsic: Sepse ne në Bosnje e Hercegovinë, si rezultat i Marrëveshjes së Dejtonit, jemi të detyruar që ta ndajmë pushtetin me anti-civilizimin që Millorad Dodiku e përfaqëson aktualisht. Është kjo strukturë politike që fatkeqësisht ka një pozicion të tillë kushtetues në Bosnje e Hercegovinë dhe është e pamundur të tejkalohet për të marrë një vendim lidhur me njohjen e Kosovës. Të gjithë, tre anëtarët e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, duhet të votojnë për njohjen, jo vetëm dy. Sidoqoftë, ju nuk duhet të zhgënjeheni, sepse nuk po njiheni nga njerëz që nuk kanë dhembshuri për krimet që po kryen Rusia në Ukrainë, që lavdërojnë kriminelët e luftës dhe që nuk njohin ligjin ndërkombëtar. Të gjithë ne në Bosnje e Hercegovinë që kundërshtojmë një gjë të tillë ju njohim dhe një ditë do të miratohet vendimi për njohjen zyrtare.

Gazeta Express: Ndërkohë, një vizitë e mundshme e juaja në Prishtinë është përmendur. A do të ndodhë në të vërtetë, nëse po, kur?

Zeljko Komsic: Sigurisht që është e mundur dhe do të ndodhë në momentin kur do të jetë koha e përshtatshme për të.

 Gazeta Express: Ju sigurisht që jeni duke i ndjekur nga afër ato që po ndodhin në Ukrainë dhe me paralajmërimet se mund të ketë përpjekje për destabilizim në Bosnje dhe Kosovë. A shihni vërtet rrezik për një eskalim të mundshëm të ndonjë konflikti në këtë pjesë të rajonit?

Zeljko Komsic: Në Bosnje dhe Hercegovinë, ka forca politike pro-ruse të trupëzuara në dyshen Millorad Dodik-Dragan Coviq të cilët gëzojnë një mbështetje aktive nga Rusia. Rusia e mbështet Dodikun në përpjekjen për të ndalë rrugën e Bosnje e Hercegovinës drejt NATO-s, si dhe në çdo minim të mundshëm të institucioneve të Bosnje e Hercegovinës, siç ishte rasti me miratimin e ligjeve antikushtetuese në asamblenë kombëtare të RS [Republika Srpska], të cilat janë një goditje e drejtpërdrejtë për rendin kushtetues dhe institucionet me të cilat Dodik dhe regjimi i tij sakrifikojnë paqen në Bosnje e Hercegovinë dhe rajon. Përveç kësaj, Rusia mbështet hapur kërkesat e HDZ-së për ndryshime në Ligjin Zgjedhor, i cili synon të forcojë diskriminimin në baza etnik dhe Zagrebi zyrtar është gjithashtu krenar për një mbështetje të tillë. Sipas Dragan Çoviqit, është politika e HDZ-së që beson se këtu ka shumë pak ndikim rus, gjë që flet për një lidhje të qartë mes politikës kroate dhe Kremlinit. Këto janë sigurisht opsionet në të cilat Rusia po mbështet në një përpjekje për të destabilizuar Bosnjën dhe Hercegovinën, në mënyrë që ta distancojë atë përgjithmonë nga integrimi në NATO dhe BE si qendër e Ballkanit Perëndimor. Nëse Ukraina përjeton një kolaps ushtarak, nuk ka dyshim se Rusia do të destabilizojë Bosnje-Hercegovinën përmes këtyre lojtarëve, e cila tashmë ka filluar, duke qenë se putinistët e HDZ-së në Bosnje e Hercegovinë synojnë të bllokojë zgjedhjet në tetor të këtij viti.

Gazeta Express: Mendoni se Perëndimi po bën mjaftueshëm për të parandaluar që një gjë e tillë të ndodhë?

Zeljko Komsic: Shpresoj që Perëndimi më në fund të kuptojë se nuk ka absolutisht asnjë ndryshim midis putinistëve të SNSD-së dhe HDZ-së. Kjo ka qenë mjaft e qartë prej vitesh dhe ne shohim se po bëhet më e qartë për publikun në Kroaci. Unë besoj se Perëndimi do të reagonte ndaj përpjekjes për të destabilizuar Bosnje e Hercegovinën. Qëndrimi ndaj zgjedhjeve do të tregojë në masë të madhe nëse Perëndimi është i gatshëm të lejojë destabilizimin, nëse është i gatshëm të devijojë nga parimet e tij demokratike kur bëhet fjalë për barazinë e zërit të qytetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës. Nëse procesi zgjedhor mund të destabilizohet, do të jetë vetëm një hyrje në çdo lloj destabilizimi tjetër, i cili nuk do të ishte vetëm politik.

Gazeta Express:  Cili është komenti juaj për atë që po bën Vladimir Putin në Ukrainë?

Zeljko Komsic: Putini kreu një agresion kundër një vendi të pavarur dhe sovran. Është një shkelje brutale e ligjit ndërkombëtar për të cilën gjë Rusia vuan sanksionet. Përveç kësaj, ky regjim agresiv është angazhuar për të kryer krime lufte. Çdo ditë shikojmë vuajtjet e qytetarëve të pafajshëm të Ukrainës, fëmijëve dhe ne në Bosnje dhe Hercegovinë, që e kemi ndjerë në lëkurë agresionin e Serbisë së Madhe, nuk mund të qëndrojmë indiferentë. Ne e kemi mbështetur Ukrainën në përputhje me aftësitë tona dhe vendimet tona të mëparshme. Mendjet tona janë vazhdimisht me qytetarët e Ukrainës, të cilët po i mbijetojnë ferrit të vërtetë.

Gazeta Express: Si e përshkruani qëndrimin e Serbisë ndaj agresionit rus atje dhe një Serbi me qëndrime të tilla, çfarë do të thotë për rajonin e Ballkanit Perëndimor?

Komsic: Ndoshta vota e Serbisë për Rezolutën që dënon agresionin rus është befasi, por është e mirë për paqen në rajonin tonë! Pra, vetë akti i votimit ishte i mirë, por kam frikë se ajo që shohim në rrugët e Beogradit – dhe kjo është një mbështetje me zë të lartë për agresionin rus ndaj Ukrainës – është ajo që është opinioni i shumicës në Serbi. Ai disponim për konflikt dhe luftë nuk është i mirë.

Gazeta Express: Sipas jush, cila do të ishte zgjidhja ideale përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe a është zgjidhja një marrëveshje që nuk e ndan Kosovën nga Serbia?

Zeljko Komsic: Zgjidhja ideale është njohja reciproke mes dy vendeve, duke respektuar të drejtat e pakicave kombëtare, si të drejtat e serbëve në Kosovë, ashtu edhe të shqiptarëve në Serbi. Zgjidhja ideale është anëtarësimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe NATO. Ajo sjell paqe të qëndrueshme, stabilitet por edhe prosperitet.

Gazeta Express: A duhet marrëveshja përfundimtare të përfshijë njohjen e Kosovës nga Serbia? Nëse po, a besoni se Vuçiq do ta nënshkruante njohjen e Kosovës?

Zeljko Komsic: Nuk jam i sigurt se çfarë do të bëjë Vuçiq dhe çfarë do të nënshkruajë apo jo. Bazuar në gjithçka që shoh në skenën politike dhe publike të Serbisë, nuk jam i sigurt se ka ndonjë në Serbi që do ta njohë Kosovën. Por, ndonjëherë në politikë duhet të pajtoheni me gjëra që nuk i dëshironi realisht, por ato janë një realitet që ekziston përtej dëshirës.

Gazeta Express: Për korrigjimin e kufirit, sa herë flitet, flitet me frikën e luftës. Por Kosova do të duhet të demarkojë kufirin me Serbinë. A mund të jetë një zgjidhje korrigjimi i kufijve nëse merret garancia e fuqive të mëdha se do të bëhet në mënyrë paqësore?

Zeljko Komsic: Në parim, unë jam fuqishëm kundër ndryshimeve të kufijve në Ballkanin Perëndimor, sepse kjo hap kutinë e Pandorës nga e cila mund të dalin probleme të shumta për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe më gjerë, për Evropën. Procesi i shpërbërjes së Jugosllavisë ka përfunduar, ne kemi atë që kemi. Le t’i drejtohemi bashkëpunimit. Nëse i drejtohemi ndryshimit të kufijve, do të përfundojmë sërish në luftëra, ndoshta më keq se në vitet 1990. Të gjithë duhet të kemi mençuri të mjaftueshme për të mos e lejuar këtë./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement