Këshilli nuk mblidhet, Mustafa dhe nënkryetarët marrin mandatin për të vendosur për ofertën e VV'së - Gazeta Express
string(97) "keshilli-nuk-mblidhet-mustafa-dhe-nenkryetaret-marrin-mandatin-per-te-vendosur-per-oferten-e-vvse"

Këshilli nuk mblidhet, Mustafa dhe nënkryetarët marrin mandatin për të vendosur për ofertën e VV’së

Gazeta Express

14/01/2020 11:16

Albin Kurti dhe Isa Mustafa nuk kanë arritur ende që të vendosin se a do të shkojnë në koalicion së bashku, pavarësisht disa takimeve që kanë zgjatur me orë të tëra. Tashmë janë bërë më shumë se tre muaj që nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, raporton Gazeta Express.

Deri tani është bërë e ditur se edhe LDK-ja edhe LV-ja i kanë dhënë kohë njëra tjetrës që të reflektojnë se a do të pranojnë ofertat që kanë vënë në tavolinë të diskutimit.

Lexo Edhe:

Albin Kurti në letrën që i ka dërguar presidentit të vendit, Hashim Thaçi duke e njoftuar këtë të fundit se janë afër marrëveshjes me LDK-në, ka bërë të ditur gjithashtu se i ka bërë dy oferta për partinë e Isa Mustafës.

I njëjti pa zbardhur detaje se çka ka vënë në tavolinë të diskutimit, në fazën që po mendohet të jetë e fundit për t’u marrë vesh ka thënë se për të pranuar apo jo atë se çka ka ofruar LV-ja, LDK do të vendos në mbledhjen e Këshillit.

Mirëpo, në LDK për të vendosur për këtë temë Këshilli i ka autorizuar kokat kryesore të partisë. Lideri i LV-së, Isa Mustafa së bashku me tre nënkryetarët, Vjosa Osmanin, Agim Veliun e Lutfi  Hazirin do të vendosin nëse pranojnë apo jo ofertën e Kurtit. Të katërt këta, që kanë qenë dje edhe në takimin me ambasadorin amerikan, Phlip Kosnett, ende nuk janë marrë vesh se a do të pranojnë ofertat.

Se në LDK do të vendosin Mustafa me nënkryetarët për koalicionin e ka thënë dje në një prononcim për media edhe deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli.

“Ne gjithmonë kemi qenë të gatshëm. Besojmë që struktura e ka vullnetin për koalicion. Diskutimet janë ka fundi. Ato janë pjesë e diskutimeve, ne po kërkojmë që të ndodhë koalicioni për format e mënyrat se si do të ndodhë është detyrë e atyre që i kemi autorizu, kryetarin e LDK-së dhe nënkryetaren Vjosa Osmani”, ka thënë Avdyli.

Edhe në Lëvizjen Vetëvendosje janë të autorizuar katër persona për të vendosur për ofertat e reja që vënë në tavolinë të diskutimit, e edhe nëse pranojnë ato që i ofron LDK-ja.

Lëvizja Vetëvendosje ka autorizuar në organet e saj për negociim me LDK-në, kryetarin e partisë, Albin Kurtin, dy nënkryetarët Fatmire Kollcakun dhe Besnik Bislimin si dhe anëtaren e kryesisë, deputeten Albulena Haxhiun. Të njejtët kanë qenë të pranishëm në të gjitha takimet e mbajtura së fundmi në mes të dy partive.

Se janë autorizuar për të vendosur për koalicionin e ka thënë ditë më parë edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Arbërie Nagavci. Ajo tha para mediave se kryesia e i ka dhënë mandat të plotë grupit punues për të vendosur.

“Tani për këtë mund të flasin pjesëtarët e grupit punues, kryesia i ka dhënë mandat të plotë grupit punues. Së pari duhet të dimë çka kërkon LDK-ja është e rëndësishme të dimë, kemi pas edhe deklarata publike të deputetëve të caktuar, për më tepër, anëtarët e grupit punues. Takimi i djeshëm do të vazhdojë sot”, ka deklaruar Nagavci ditë më parë.

Sidoqë të jetë, të tetë këta persona të autorizuar për të mbajtur në dorë fatin e koalicionit ende nuk janë duke mundur që të gjejnë frymën e duhur të bashkëpunimit.

Kanë kaluar disa ditë prej kur nuk është mbajtur as takim, derisa është shtuar presioni ndërkombëtar për të formuar sa më shpejtë institucionet e reja./GazetaExpress/