Mbrëmë, më 19 dhjetor, në Teatrin ‘Oda’ u dha premierë shfaqja komedi ‘Charles III’ nga Jeton Neziraj, me regji të Agon Myftarit.
Nga Donjeta Abazi
Sinopsis:
Edith, një kushërirë e largët e Charles III — mbretit të Mbretërisë së Bashkuar — vjen diku thellë në Bjeshkët e Namuna të Kosovës, në një ekspeditë studimore mbi zërat dhe zhurmat. Këtu, ajo përhumbet në misteret e maleve shqiptare, në të cilat gjen një botë përplot aventura, këngë e legjenda të moçme, por edhe takon personazhe mitike të Eposit të Kreshnikëve!
Mbreti Charles III vjen në Kosovë dhe bashkë me KFOR-in anglez, nisen në një aksion kërkim-shpëtimi, për Edithin e zhdukur pa gjurmë.
Aktorë: Dukagjin Podrimaj, Blend Sadiku, Vjosë Tasholli, Dardan Gashi, Albina Krasniqi.

Satira si personifikim i shfaqjes
Në tekstin e shfaqjes dhe lojën e aktorëve u satirizua pothuajse gjithçka e secili që mund të satirizohej brenda rreth një orë e gjysmë shfaqje. Me shumë gjasë po të vazhdonte shfaqja gjithë natën autori do të kishte material për të satirizuar. Drama-komedi e kapërtheu mitologjinë shqiptare përmes dy personazheve mitike Mujë e Halil Bylykbashi dhe e shtrëngoi edhe më fort me modernizimin e shfaqjes dhe transformimin e aktorëve në Prishtinën urbane.
‘Charles III’ shtroi në skenë shumëçka, por pa harruar aktualitetin dhe jo veç shpërfaqi por në kuptimin e parë të fjalës, aktorët ‘luajtën’ në skenë, me dialogun e Kosovës, të folurën në zhargon të rinjve të kryeqytetit, barazinë gjinore, orientimin seksual, shkrimtarët (ata që e kanë parë shfaqjen e dinë për kë bëhet fjalë), luajtën edhe me sistemin, qeverisjen, me mentalitetin, shkurt u thumbua shumëçka në formë komedie dhe kjo u bë aq për ngut për ta përmbledhur gjithë atë thumbim brenda shfaqjes.
Në rrafshin skenik, shfaqja kishte nevojë opsionale gjithë orenditë e përdorura në skenë, sepse edhe po të fikeshin dritat dhe të mbetej veç shfaqja në dialog do të kuptohej një pjesë e konsiderueshme e saj. E megjithatë elementet mbështetëse të saj (një rol të veçantë padyshim kishte muzika) kishin rëndësinë dhe rolin specifik në skenë.
Vajza e grabitur ‘Edith’, kushërira e parë e mbretit ‘Charles III’, do të transformohet dalëngadalë në gruan tipike shqiptare malsore të një periudhe të para 300 viteve. Edhe ky detaj e edhe pjesa kur në shfaqje kërkohet të flitet në ‘gjuhen e krajlave’ e që është në gjuhen serbe, e shpërfaq më së miri faktin që kjo shfaqje po që kishte për qellim thumbimin e çfarëdo që mundi të thumbohej. Madje edhe nostalgjinë e njerëzve për gjera të dikurshme, qofshin të gabuara, mentalitetin e shqiptarëve të cilët masturbojnë me idenë së historikisht këtu është bërë luftë, ne kemi qenë trima të pamatur dhe mite e legjenda tjera të cilat thjesht me apo pa vetëdije merren si të mirë(qena).

Shfaqja përtej mesazhit, në lojën skenike
Aktorët e shfaqjes ‘Charles III’ dhanë maksimumin në skenë, qoftë në transformimin e personazheve, qoftë në gjuhen e trupit, qoftë në rrafshin e realizimit të dialogëve.
Dukagjin Podrimaj, kishte rolin më sfidues duke shfaqur në skenë personazhin e dyfishtë të Charlesit e të Mujës, megjithatë ai këtë e bëri fort lirshëm, duke ndjekur ritmin e shfaqjes në çdo sekondë. Por padyshim që edhe aktorët tjerë bënë punë shumë të mirë duke qenë aktiv në çdo formë, edhe si personazhe edhe si ‘objekte e dukuri’ të shndërruara.
Përtej asaj që ishin të thirrur për të dhen në shfaqje, aktorët mesazhet thumbuese i përcollën në publik në formë të qartë, kjo edhe për shkak që kjo shfaqje u përgatit për publikun e për Kosovën. Aktrimi ishte autentik, edhe gjuha skenike, sepse aktorët e shfaqjes janë të gatuar në skenën tonë, duke qenë të ekspozuar ndaj problematikave dhe jetës në këtë vend.
***
Kritika brenda teatrit, për teatrin është vështirë e realizueshme nganjëherë, për shkak të zhvillimit të kulturës në atë vend. Në ‘Charles III’, në lexim të dytë, komedia bie në rend të dytë, satira zhvendoset në parim dhe shfaqja merr formë. Krijimi, ideimi i shfaqjes ‘Charles III’ zhvat frymëzimin e krijimit teatror në aspektin e thikës me dy teha sepse vija që i lidh të kaluarën më të tashmen duke i bërë bashkë për t’i kritikuar është punë që fillon e mbaron atëherë kur fillon e mbaron shfaqja. Nuk konsumohet shfaqja sepse ideja e formësimit të saj është e ngritur mbi aktualitetin që zor besojmë së do të ndërrojë edhe për shumë kohë.
***
Autori Neziraj, (padyshim me ndihmën e regjisorit Myftari në këtë shfaqje) njihet si dramaturg, i cili kritikën e ka në embrion të thuajse çdo shfaqjeje. Shfaqjet e Nezirajt janë të targetuara, disa prej të cilave krijohen për t’u luajtur edhe jashtë Kosovës e disa të tjera, si kjo e mbrëmshmja, e cila u dedikua dhe u shkrua për publikun tonë.

Shtojcë
Çështja e etablimit të audiencës së teatrit njëmend duhet të shqyrtohet me shumë seriozitet. Forma dhe ide se si duhet të behet një gjë e tillë mund të ketë mjaftueshëm, ama jetësimi i kësaj ideje mund të bëhet nga institucionet përkatëse.
Info
Shfaqja luhet reprizë sonte me fillim nga ora 20:00.
Nga: Jeton Neziraj; Regjia: Agon Myftari
Aktorë: Dukagjin Podrimaj, Blend Sadiku, Vjosë Tasholli, Albina Krasniqi, Dardan Gashi
/Gazeta Express
Fluturime nga Düsseldorfi për në Prishtinë dhe anasjelltas me çmime shumë të volitshme Reisebüro Prishtina ofron sherbime të sigurta,...