Partia Laburiste e kryeministrit maltez, Robert Abela, ka fituar zgjedhjet parlamentare të mbajtura të shtunën, duke siguruar një mandat të katërt radhazi në qeverisje.
Pas publikimit të rezultateve të para, mbështetësit e Laburistëve dolën në rrugë për të festuar fitoren, ndërsa fishekzjarrët ndriçuan qiellin e ishullit. Sipas të dhënave paraprake, partia në pushtet ka siguruar shumicën në parlament, megjithëse me një diferencë më të ngushtë krahasuar me zgjedhjet e vitit 2022.
Pjesëmarrja në votime arriti në 87.4%, pak më e lartë se në zgjedhjet e mëparshme parlamentare.
“Sot shkruam histori, të gjithë së bashku”, deklaroi Abela para mbështetësve të tij pas shpalljes së rezultatit.
Kundërshtari kryesor i tij ishte Alex Borg, kandidat i Partisë Nacionaliste konservatore, i cili pranoi humbjen dhe bëri të ditur se e kishte uruar personalisht kryeministrin për fitoren.
Abela kishte shpallur zgjedhjet e parakohshme duke argumentuar se Malta kishte nevojë për një mandat të ri për t’u përballur me pasiguritë gjeopolitike dhe ndikimin e krizës në Lindjen e Mesme. Gjatë fushatës, ai u fokusua te performanca pozitive e ekonomisë malteze dhe premtoi stabilitet në një periudhë sfidash ndërkombëtare.
48-vjeçari drejton Maltën që nga viti 2020, kur mori detyrën pas dorëheqjes së paraardhësit të tij në mes të krizës politike të shkaktuar nga hetimet për vrasjen e gazetares investigative Daphne Caruana Galizia. /Panorama