Kazinotë ‘lulëzojnë’ në Karaçevë, institucionet e Kosovës nuk mund të ndërhyjnë pa lejen e KFOR-it - Gazeta Express
string(95) "kazinote-lulezojne-ne-karaceve-institucionet-e-kosoves-nuk-mund-te-nderhyjne-pa-lejen-e-kfor-it"

Kazinotë ‘lulëzojnë’ në Karaçevë, institucionet e Kosovës nuk mund të ndërhyjnë pa lejen e KFOR-it

Gazeta Express

20/02/2020 7:20

Kazinotë në fshatin Karaçevë të Kamenicës vazhdojnë të funksionojnë në mënyrë ilegale.

Në hyrje të fshatit Karaçevë e Poshtme apo siç njihet ndryshe nga banorët e asaj ane “reka e Breznicës”, kazinotë janë duke funksionuar në mënyrë ilegale pa u penguar nga askush.

Lexo Edhe:

E gjithë kjo po ndodh për shkak se në këtë zonë nuk monitoron asnjë autoritet i Qeverisë së Kosovës dhe se kompetencë ekzekutive për monitorim e ndërhyrje është vetëm KFOR-i.

Banorët e Karaçevës janë shprehur të shqetësuar për lajmi.net, pasi që siç thonë ata, janë bërë gati 10 kazino që janë duke funksionuar.

Ata thonë se askush nuk ndërhyn në këtë pjesë dhe se Policia e Kosovës vetëm deri në fshatin Novo Sellë monitoron.

“Policia vjen veç deri në Novo Sellë ose mundet me i ra ka “By-Pass”-i, që e kanë maru KFOR-i, ama këndej ka janë kazinotë nuk vjen policia”, u shpreh për lajmi.net ky banor, emër i njohur për redaksinë.

H.K., një banor tjetër i Karaçevës ka bërë të ditur se në këtë pjesë janë ndërtuar gati 10 kazino dhe se shqetësimin e tyre e kanë ngritur edhe në organet kompetente.

“Jemi konë edhe në komuna ama s’na kanë kthy kurrfarë përgjigje. Këtu kazinotë jonë tu lulëzu si kërpudhat mbas shiut”, tha ky banor.

E një tjetër banor është shprehur tejet i shqetësuar për funksionimin e kazinove. Ai ka frikë se mund të ndodhë ndonjë tragjedi siç ka ndodhur para ndalimit të lojërave të fatit.

“Duhet me ndërhy sa nuk u vra dikush, se kur të vrahet dikush e pat puna ma”, ka thënë për lajmi.net, E.L.

Në anën tjetër, lajmi.net, ka më shumë se tre javë që ka dërguar pyetje në drejtim të KFOR-it për këtë çështje, por nuk ka marrë asnjë përgjigje deri më tani.

Por, nga Komuna e Kamenicës kanë pranuar që janë në dijeni për funksionimin ilegal të këtyre kazinove, por që nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë pa marrë ndonjë leje të veçantë nga KFOR-i, pasi që në bazë të marrëveshjes së Kumanovës të vitit 1999, vetëm KFOR-i ka të drejtë të ndërhyjë në këtë zonë neutrale.

“Me nënshkrimin e marrëveshjes së Kumanovës në vitin 1999, është bërë një gabim sepse vija është tejkaluar dhe ka hy brenda territorit të Kosovës, konkretisht në Zonën Kadastrale të Komunës së Kamenicës. Edhe Policia e Kosovës, nuk mund të ndërhyjë në atë pjesë pa marrë leje të veçantë nga KFORI. Gjithashtu, ka pas rrallëherë lëvizje të xhandarmërisë serbe në atë pjesë ku qytetarët janë shqetësuar, por ne duhet të jemi të kujdesshëm që prej të gjitha atyre që janë diskutuar të kemi mbështetjen e policisë në këtë anë, pasi që gjendet në Zonën Kadastrale të Kamenicës. Ne jemi të informuar për veprimtarinë e tyre, por për shkak që është zonë neutral ne si komunë nuk kemi qasje në atë pjesë. Kemi kërkuar ndihmë edhe nga ana e Qeverisë dhe KFOR-it që të na ndihmojnë rreth kësaj çështjeje, për të cilën edhe banorët e asaj zone janë të shqetësuar”, ka thënë për lajmi.net, Margarita Rashiti nga Komuna e Kamenicës.

Në pjesën ku janë të vendosura kazinotë, pak metra para hyrjes për në fshatin Karaçevë e Poshtme, është i vendosur “By-Pass”-i nga ana e KFOR-it, që mundëson monitorimin në këtë pjesë në një rrugë dytësore që është ndërtuar nga vetë KFOR-i dhe që të shpie në mes të këtij fshati.

Duhet theksuar se Qeveria e Kosovës ka ndaluar me ligj lojërat e fatit në vitin 2019 dhe deri te ky vendim kishte ardhur për shkak të vrasjeve që kishin ndodhur në disa kazino brenda pak ditësh në Lipjan dhe Suharekë.

Ligjin për ndalimin e lojërave të fatit Kuvendi i Kosovës e kishte miratuar më 28 mars kurse kishte hyrë në fuqi më 10 maj të vitit 2019.

Më poshtë ju sjellim disa fotografi që ka realizuar ekipi i redaksisë.