Një skandal i rëndë e ka tronditur opinionin sportiv ndërkombëtar, me ish-yllin francez Dimitri Payet në qendër të akuzave shumë serioze që lidhen me abuzim fizik, psikologjik dhe seksual.
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare, një grua braziliane, e quajtur Larissa Ferrari, pretendon se ka qenë në lidhje me futbollistin, ndërsa e ka akuzuar sportistin për sjellje të dhunshme dhe degraduese gjatë marrëdhënies së tyre, përcjell “Gazeta Express”.

Ajo pretendon se ka qenë viktimë e manipulimit psikologjik, dhunës dhe akteve poshtëruese.
Në dëshminë e saj, gruaja ka deklaruar se Payet ushtronte kontroll të vazhdueshëm mbi të, duke përdorur presion emocional dhe forma ndëshkimi, ndërsa në disa raste, sipas saj, situata kalonte në dhunë fizike.
Autoritetet braziliane kanë hapur hetime për rastin, ndërsa çështja mbetet ende në proces dhe nën shqyrtim.
Akuzat janë shumë të rënda dhe kanë shkaktuar reagime të forta në opinionin publik, duke i rikthyer në vëmendje çështjet e dhunës dhe abuzimit në sport.

Megjithatë, nga ana e tij, Payet i ka mohuar kategorikisht këto pretendime, duke insistuar se marrëdhënia ka qenë konsensuale.
Ky skandal vjen në një moment delikat për ish-mesfushorin francez, i cili së fundmi e ka njoftuar tërheqjen nga futbolli pas një karriere të gjatë dhe të suksesshme.
Ndërkohë, hetimet pritet të vazhdojnë dhe vetëm vendimet e autoriteteve përkatëse do ta përcaktojnë të vërtetën përfundimtare në një rast që e ka tronditur rëndë botën e futbollit. /Gazeta Express