Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e UÇK-së, Andin Hoti është shfaqur i emocionuar teksa mbajti një fjalim për Sinan Dautin i cili ishte i zhdukur që nga viti 1999, dhe sot është rivarrosur në vendlindjen e tij në Prekaz të Epërm.
Ai u shpreh se nëna e të ndjerit e ka bartur në shpinë kur ishte i plagosur nga Prekazi në Klinë të Skenderajt.
“Vëllezër e motra, familjarë të Sinanit, familjarë të dëshmorëve dhe martirëve, të vrarë të luftës. Sot jemi mbledhur këtu, jo vetëm për të bërë një ceremoni varrimi, por për të vendosur nën dhe një plagë që për më shumë se dy dekada ka mbetur e hapur.
Sinan Dauti nuk ishte as ushtar, nuk ishte as pjesë e ndonjë beteje, ishte vetëm një fëmijë. Vetëm pak javë pa i mbushur nëntë vjet. Në atë moshë Sinani do të duhej të ishte në shkollë, jo në listat e të zhdukurve për 27 vite. Do të mbante libra në duar, jo plumba në barkun e tij.
Dhe pikërisht kjo e bën historinë e tij edhe më të rëndë, edhe më të dhimbshme, edhe më të papranueshme për çdo shoqëri që pretendon të quhet njerëzore. Krimi ndaj Sinanit të vogël nuk është vetëm një akt barbar, është një tregues i qartë se deri ku mund të shkojë urrejtja kur humbet çdo kufi njerëzor dhe shndërrohet në një monstrum mizor.
Në pranverën e vitit 1999, në kulmin e një politike shtetërore të spastrimit etnik dhe gjenocidit, forcat serbe granatuan vendbanimet civile në Drenicë me qëllim shfarosjen dhe dëbimin e popullsisë shqiptare. Familja Dauti, si shumë familje të tjera në Kosovë, kërkoi shpëtim. Gratë dhe fëmijët u strehuan në një podrum duke besuar se aty do të gjenin siguri.
Por edhe aty nuk kishte më asnjë kufi njerëzor. Sepse sipas dëshmisë së Antonit që gjendet këtu, djalit të axhës së Sinanit, që është po i njëjtës moshë me Sinanin, gjatë përpjekjes për t’u strehuar, disa anëtarë të familjes u plagosën, përfshirë edhe Antonin. Në podrumim ku ishin strehuar gratë dhe fëmijët, kriminelët serbë hapën zjarr me armë automatike dhe në atë moment tragjik, në duart e nënës së tij po ashtu të plagosur, Lumnijes, u plagos rëndë edhe Sinani.
Thjesht një fëmijë, thjesht një jetë që sapo kishte filluar jetën e tij. Nëna e tij, heroinë, e plagosur vetë, e barti në shpinë duke luftuar për ta shpëtuar, nga Prekazi deri në Klinë të Ultë. Pastaj u dërgua në spitalin e Mitrovicës, por familja nuk u lejua ta shoqëronte. Dhe pas pak ditësh erdhi vetëm një lajm: Sinani nuk ka mbijetuar. As Sinanin, as trupin, asgjë tjetër.
Për afër 27 vite, nëna e tij dhe familja e tij jetuan pa e ditur ku është trupi i djalit të tyre. Sinani ka qenë në listën e personave të zhdukur deri në momentin kur mbetjet mortore u gjetën në Suhodoll, në periferi të Mitrovicës. Kjo është pesha e rëndë e krimit — jo vetëm vrasja, por edhe zhdukja, edhe pritja e pafund për të vërtetën.
Një gjë e kam për borxh të theksoj: institucionet dhe shumë punonjës, heronj të heshtur brenda tyre, emrat e të cilëve shpeshherë mbeten të papërmendur, asnjëherë nuk kanë hequr dorë nga angazhimi për të vërtetën dhe zbardhjen e fatit të shumë personave që kanë qenë dhe janë në listën e personave të zhdukur. Krahas angazhimit të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Institutit të Mjekësisë Ligjore, Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, rol shumë të rëndësishëm në këtë rast ka luajtur edhe këmbëngulësia dhe puna e palodhshme e Drejtorisë së Policisë së Kosovës për Hetimin e Krimeve të Luftës, sektori për personat e zhdukur.
Të nderuar të pranishëm, gjetja e mbetjeve mortore i jep familjes mundësinë që të kryejë ceremoninë e varrimit dhe të ketë një vend ku të kujtojë të afërmin e tyre, por dhimbja e tyre nuk mbyllet kurrë. Sepse kjo nuk është vetëm historia e një familjeje, kjo është historia e një populli që u përball me gjenocid, me një plan të qartë nga shteti serb. Dhe për këtë plan Serbia ka përgjegjësi. Dhe për këtë krim Serbia ka borxh.
Borxh ndaj familjes Dauti, borxh ndaj çdo familjeje që humbi më të dashurit e tyre, borxh ndaj drejtësisë. Krahas dhimbjes që ka familja Dauti sot, ju dhe ne duhet të ndihemi edhe krenarë. Sepse ne ishim në të drejtën tonë, sepse ne sakrifikuam shumë, sakrifikuam gjithçka dhe në fund ne fituam. Ne jetojmë të lirë dhe e kemi shtetin tonë, Republikën e Kosovës.
Serbia e ka humbur luftën, por drejtësia për krimet e tyre nuk është vënë ende në vend” tha Hoti. /eo
Në një kohë kur kërkesa për destinacione autentike dhe ende të paprekura po rritet ndjeshëm, veriu i Shqipërisë po...