Hill që e bëri nervoz Kurtin, në kohën e Thaçit ishte i “admiruar" dhe u bë "doktor nderi” - Gazeta Express
string(85) "hill-qe-e-beri-nervoz-kurtin-ne-kohen-e-thacit-ishte-i-admiruar-dhe-u-be-doktor-nderi"

Hill që e bëri nervoz Kurtin, në kohën e Thaçit ishte i “admiruar” dhe u bë “doktor nderi”

Lajme

Gazeta Express

25/08/2022 15:18

Christopher Hill është veç një ambasador i huaj në Serbi për kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Jo shumë kohë më parë, Hill pritej me nderime të larta në Prishtinë. Diplomati amerikan konsiderohej hisedar në lirinë dhe pavarësinë e vendit.

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Ambasadorit amerikan në Serbi, Christopher Hill, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është dukur i papërgatitur në takimin e 18 gushtit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Kurti u duk i neveritur jo pak nga deklaratat e diplomatit amerikan që gjatë luftës në Kosovë kishte vepruar edhe si ndërmjetës jozyrtar për ta ndalur terrorin e Serbisë. Kryeministri i Kosovës i reagoi ambasadorit amerikan në Beograd dy herë të mërkurën.

Në një fjalim para ministrave në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se në takimin me presidentin serb Aleksandar Vuçiq s’kishte shkuar si polic apo si doganier, duke iu përgjigjur kështu ambasadorit Hill, i cili tha të martën se në atë takim “pala serbe veproi mirë” dhe se “disa prej të tjerëve nuk ishin të përgatitur për të folur për specifika”.

“Unë kam qenë si kryeministër i Republikës së Kosovës, nuk kam qenë as si polic, as si doganier, as si prokuror, as si gjykatës, e as si shef i kadastrës së Kosovës. Kam shkuar si kryeministër i Republikës së Kosovës sepse pika e parë ka qenë elementet e kornizës së përgjithshme të marrëveshjes për normalizim të plotë të marrëdhënieve”, tha Kurti.

Për kryeministrin e Kosovës, Hill thjesht nuk është ambasador “i yni”.

“Është e vërtetë që në vitet e ’90-ta, por edhe deri kur e kemi shpallur pavarësinë, ambasadori i SHBA-ve për Kosovën ka qenë në Beograd. Mirëpo që nga shpallja e pavarësinë ne kemi ambasador të SHBA-ve në Prishtinë dhe me këtë ambasador ne kemi biseduar më 31 korrik”, tha Kurti në një konferencë për media pas mbledhjes së Qeverisë.

Shumë më ndryshe i qasjes dikur Hillit, kryeministri i atëhershëm i Kosovë, Hashim Thaçi. Njëri prej kundërshtarëve më të mëdhenj politikë të Kurtit, në qershor të vitit 2013 e kishte shpallur Hillin “Doctor Honoris Causa”.

Ceremonia e shpalljes “Doctor Honoris Causa” të Christopher Hill dhe Wolfgang Petritsch më 19 qershor 2013

“Sot, jo vetëm Universiteti i Prishtinës, por edhe krejt Kosova e ka një ditë të veçantë. Pikërisht në këtë sallë shpallen “Doctor Honoris Causa”  dy diplomatë të shquar, dy miq të mëdhenj të Kosovës, të paqes dhe stabilitetit në rajon, ambasadorët  Christopher Hill dhe Wolfgang Petritsch”, shprehej Thaçi atë ditë.

“Ishit ju ambasador Christopher Hill, një diplomat i rryer dhe njohës i shkëlqyer i rrethanave në rajon, që në emër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i mbronit interesat e viktimave në territorin e ish Jugosllavisë. Punonit për arritjen e paqes”, kishte thënë ndër tjerash Thaçi.

Në një rast tjetër, Thaçi si kryeministër ishte në Universitetin e Denverit në SHBA tregonte se Hill ishte shumë i admiruar në Kosovë.

“Posaçërisht më lejoni ta përshëndes një njëri që ju e njihni shumë mirë, Z. Christopher Hill. Ambasadori Hill është hisedar në suksesin tonë të përbashkët. Ai ka qenë pjesëmarrës në konferencën e Rambujesë dhe roli i tij ka qenë vendimtar në ndryshimin e kursit të historisë së vendit tim. Aq i admiruar është zoti Hill, sa që edhe autoshkollat në Prishtinë e kanë emrin e tij”, shprehej Thaçi më 9 prill 2012.

Christopher Hill është diplomat karriere që ka shërbyer si Emisar Special gjatë luftës në Kosovë dhe ishte i përfshirë drejtpërdrejt në negociatat në Rambuje më 1999, të cilat i dhanë fund luftës. Hill ishte angazhuar si pjesë e ‘Grupit të Kontaktit’ për të gjetur një zgjidhje paqësore mes Kosovës dhe Serbisë gjatë takimeve në Francë.