’Heroi’ i Realit, Joselu flet për situatën e vështirë në klub, tregon se çka ju mungon - Gazeta Express
string(82) "heroi-i-realit-joselu-flet-per-situaten-e-veshtire-ne-klub-tregon-se-cka-ju-mungon"

Futboll

Gazeta Express

20/12/2025 8:20

’Heroi’ i Realit, Joselu flet për situatën e vështirë në klub, tregon se çka ju mungon

Futboll

Gazeta Express

20/12/2025 8:20

Ish-sulmuesi i Real Madridit, Joselu Mato, është i radhës që përpiqet të diagnostikojë problemet e klubit, teksa Xabi Alonso po kërkon formulën magjike.

Sulmuesi veteran ishte pjesë e skuadrës së fundit të suksesshme të “Los Blancos” nën drejtimin e Carlo Ancelottit dy sezone më parë.

Pavarësisht se kishte një ofertë për të vazhduar te Real Madridi, si dhe disa të tjera nga klube europiane, Joselu vendosi të përfitonte financiarisht dhe të transferohej te Al-Gharafa në Katar, duke pranuar se oferta ishte tepër e mirë për t’u refuzuar.

Pasi kishte luajtur rol kyç në rrugëtimin e tyre në La Liga dhe Ligën e Kampionëve, ai u largua në kulmin e formës.

Duke folur për “Diario AS”, Joselu theksoi rolin që Ancelotti pati në suksesin e tyre.

“Shumë i rëndësishëm. Ajo që binte në sy në dhomat e zhveshjes ishte serioziteti i tij, angazhimi i lojtarëve ndaj tij. Ai e dinte se ne nuk do ta zhgënjenim. Përvoja e tij ishte vendimtare. Ishte shumë i hapur për dialog. Ai e kuptonte se te Real Madridi, asnjë lloj egoje nuk është më e rëndësishme se e gjithë skuadra së bashku. Kjo është ajo që na bëri kampionë. Ishte si një baba për skuadrën, për klubin, për tifozët”, tha ai.

Shumë është folur për mistikën e dhomës së zhveshjes së Real Madridit, me Alonson që, të paktën fillimisht, sipas raportimeve ka pasur vështirësi të përshtatet me disa nga yjet e skuadrës. Joselu shpjegoi si ishte për të të hynte aty për herë të parë.

“Kur hyra për herë të parë ishte pak si… wow! Aty ishin Kroos, Modric, lojtarë veteranë që kishin qenë te Real Madridi për 10 apo 12 vite, Bellingham që sapo kishte ardhur, Vini, Fede, Carvajal, Lucas, Nacho, me të cilët kisha luajtur më parë. Kisha dy ndjenja të ndryshme: njëra ishte, dreqi ta hajë, jam në ekipin e parë të Real Madridit; dhe tjetra ishte, unë kam qenë tashmë në këtë dhomë zhveshjeje me Carvan, Lucasin, isha stërvitur me Kroos e Modric në ekipin e parë, i njihja magazinierët, fizioterapistët…”, bëri me dije ai.

Sa i përket problemeve aktuale, Joselu fillimisht u kujdes të theksonte se standardi ishte vendosur shumë lart.

“Atë që u mungon është një numër nëntë, apo jo? (qesh). Problemi është se njerëzit po krahasojnë vitet kur fiton tituj me vitet kur nuk fiton. Ne humbëm vetëm dy ndeshje gjatë gjithë vitit: një në La Liga dhe një në Kupën e Mbretit. Barazuam edhe gjashtë dhe i fituam të gjitha të tjerat. Kjo është shumë e vështirë të përsëritet, pavarësisht skuadrës: Barcelona më e mirë, City më i mirë, Madridi më i mirë…”, u shpreh spanjolli.

“Të kesh një sezon si ai kur fiton tituj është e komplikuar. Presioni i tyre është të vazhdojnë të fitojnë. Kanë sjellë Mbappen, sulmuesin më të mirë në botë për nga golat, Vinicius është ikonë globale, Rodrygo po rikthehet në formën e tij më të mirë, Bellingham, Fede… i sheh emrat në letër dhe thua, është e pamundur që dikush t’i mundë”, shtoi Joselu.

I pyetur pak më tej, Joselu, i cili pranoi se vazhdon t’i shikojë të gjitha ndeshjet e Real Madridit, mendoi se ndoshta mungon pak grinta.

“Ndoshta mungon ajo skaji konkurrues, ajo ndjenjë. Viti kur ishim ne aty, rreth 80% e lojtarëve e ndjenin vërtet se çfarë do të thotë të veshësh fanellën e Real Madridit dhe kjo i dhembte. Sot, nuk e di nëse kjo ndjenjë është humbur apo jo. Kur luan me ndjenjën e vërtetë të të qenit tifoz i Real Madridit, merr diçka ekstra”, tha ai.

“Kur të mungon diçka, duhet ta kesh atë ndjenjë. Unë e kisha dhe shihja se Nacho do të vdiste për klubin, Carvajal po ashtu, edhe me gjysmë gjuri të dëmtuar, Lucas Vazquez po njësoj, Fede po njësoj, Vini jep gjithçka dhe është tifoz i flaktë i Real Madridit”, vazhdoi ai.

Carvajal, tashmë kapiten, pritet të rikthehet në vitin 2026 për ndeshjen e parë kundër Real Betisit. Figura të tjera veterane si David Alaba dhe Antonio Rüdiger kanë qenë brenda e jashtë skuadrës për shkak dëmtimesh, ndërsa Valverde ka pasur vështirësi të imponohet në mesfushë. Dy lojtarët që kanë spikatur më shumë kanë qenë Kylian Mbappe dhe Thibaut Courtois./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement