Gjykata Speciale ka vendosur për shtyrjen e seancës për vendimin për ish-krerët e UÇK-së, kjo seancë do të mbahet më 20 korrik.
Për këtë ka reaguar Hysni Gucati nga OVL-UÇK,i cili ka thnë se ky është një vendim i pastër politik dhe një padrejtësi e radhës që rëndon mbi kurrizin e historisë së Kosovës.
Ai ka thënë që nga fillimi ky proces nuk ka pasur transparencë.
Postimi i plotë:
Shtyrja e radhës e vendimit për krerët e UÇK-së deri më 20 korrik nga Gjykata Speciale, nuk është asgjë tjetër veçse një vendim i pastër politik dhe një padrejtësi e radhës që rëndon mbi kurrizin e historisë sonë.
Që nga fillimi i këtij procesi, ne nuk pamë, transparencë, paanshmëri dhe drejtësi të vërtetë.Në vend të tyre, pamë vetëm montime dhe padrejtësi të veshura me petkun e ligjit. Po tentojnë të gjykojnë lirinë, por liria nuk mund të prangoset.
Burrat e mëdhenj të kombit, që sot po mbahen padrejtësisht në Hagë, janë vetë dëshmia e sakrificës sonë për ekzistencë.
Mund ta vonojnë, por kurrë nuk do ta mposhtin të vërtetën. Në fund, pastërtia e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të triumfojë mbi çdo intrigë e çdo gjykatë.
Lavdi luftës së pastër të UÇK-së.
Me ju, deri në fitoren e fundit!