Atletico Madridi u eliminua nga Liga e Kampionëve sivjet, pasi u mposht në gjysmëfinale nga Arsenali.
Pasi ndeshja e parë përfundoi 1-1 në Madrid, Atletico u mposht 1-0 në Londër, me Arsenalin që e preu biletën për finalen e madhe të Championsit në Budapest.
Pas ndeshjes, Diego Simeone foli për media, duke bërë me dije se Atleticos iu mohua një penallti e pastër në Antoine Griezmannin në pjesën e dytë.
“Nuk ka kuptim të flasim për atë penallti të QARTË ndaj Griezmann. Nuk ka kuptim të flasim për të tani. Ndonjëherë vendimet e gjyqtarëve mund të jenë në favorin tonë, ndonjëherë jo. Sonte, nuk patëm fat”, tha ai pas ndeshjes.
Ai gjithashtu e uroi Arsenalin për këtë arritje, duke e përmendur homologun e tij.
“Urime Arsenalit, ata e meritojnë sepse kanë luftuar për vite të tëra për të arritur në finale. Mikel Arteta ka bërë një punë të jashtëzakonshme deri tani, prandaj jam i lumtur për ta”, shtoi ai.
Atletico mbeti pa asnjë trofe këtë edicion, pasi më parë ishte ‘dorëzuar’ në garën për titull në La Liga dhe e kishte humbur edhe finalen e Kupës së Mbretit ndaj Real Sociedadit.
Ndërkohë, Arsenali në finale të Championsit do të presë fituesin e ndeshjes Bayern Munich – PSG, me ndeshjen e parë që kishte përfunduar 5-4 në të mirë të Parisit./GazetaExpress/