“Gjithçka me Amerikën është e mirë”, a po e braktis Presidentja ‘varkën’ e Kryeministrit? - Gazeta Express
string(81) "gjithcka-me-ameriken-eshte-mire-a-po-e-braktis-presidentja-varken-e-kryeministrit"

“Gjithçka me Amerikën është e mirë”, a po e braktis Presidentja ‘varkën’ e Kryeministrit?

Lajme

Albioneta Ademi

31/01/2023 13:10

Derisa Kryeministri flet haptas për mospajtimet që i ka me zyrtarët amerikanë për Asociacionin, Presidentja beson se “gjithçka që ka të bëjë me Amerikën, është e mirë”. Këtë koment e bëri derisa po ecte krah Kurtit të pakënaqur që amerikanët ia kanë nisur diskutimeve për Asociacionin, njëanshëm.  

Gazeta Express

Lexo Edhe:

Më duhet të jem i qartë, ne do ta kemi Asociacionin, ne do të jemi pjesë e procesit, dhe ai proces duhet të përfshijë Qeverinë e Kosovës. Nëse jo, ne mund ta zhvillojmë atë diskutim me partnerë alternativë…”. Kjo është deklarata e emisarit amerikan, Gabriel Escobar, nga e cila duket se i ka mbetur hatri Kurti. Ai beson që nga kjo buruan diskutimet, pa miratimin e tij, në Ambasadën amerikane, për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe të Kosovës.

***

Kryeministri Kurti është i pakënaqur me qasjen e zyrtarëve amerikanë për Asociacionin. Edhe më tutje, Kurti po u reziston kërkesave të tyre, ndonëse thotë është paralajmëruar në mënyrë indirekte për heqje të mbështetjes për Kosovën.

Por, Presidentja Vjosa Osmani, siç është deklaruar sot nuk ka ndonjë dilemë me gjithçka që e kërkojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës. ndryshe prej Kryeministrit.

“Gjithçka që ka të bëjë me Amerikën është e mirë. Kështu e komentoj”, ka thënë Presidentja, derisa ecte nëpër sheshin e Prishtinës, e shoqëruar me Kurtin, pas homazheve te shtatorja e Zahir Pajazitit.

SHBA-ja kërkon me ngulm nga Kosova që ta formojë Asociacionin, sa më parë. Meqenëse Qeveria Kurti, deri tash, kundërshtoi themelimin e tij, amerikanët në Prishtinë e kanë marrë vetë në dorë këtë çështje.

Në Ambasadën amerikane, sot po mbahet një diskutim për formimin e Asociacionit. Kryeministri Kurti para disa ditësh ka thënë se ai nuk është ftuar në diskutim. Sot tregoi se e ka çuar Shefin e Stafit të tij në Ambasadë.

“Unë nuk jam ftuar në atë takim, por ata që janë ftuar, le të shkojnë në atë takim dhe le ta diskutojnë. Por, po e ritheksoj, nga 33 marrëveshjet e Brukselit nuk bën të zgjidhet njëra sepse nuk ka hierarki. Nuk mund të krijohen hierarki artificiale, përveç rendit kronologjik”, kishte thënë Kurti në një intervistë për REL-in, kur u pyet për diskutimin e 31 janarit.

Kurti beson se diskutimi i thirrur në Ambasadën amerikane buroi nga deklarata e Emisarit Special të SHBA-së, Gabriel Escobar, se Asociacioni bëhet edhe po s’deshi Kryeministri.

“Pra, unë besoj që ky takim është pasojë e insistimit të zyrtarit të Departamentit të Shtetit amerikan, i cili është edhe emisar special për Ballkanin dhe i cili ka deklaruar që, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, Asociacioni duhet të bëhet“, thotë Kurti

Escobar, gjatë një vizite në Prishtinë në gjysmë të dhjetorit, ka paralajmëruar se Shtetet e Bashkuara e shohin si angazhim të vetin formimin e Asociacionit.

“Është obligim për Serbinë, është obligim për Kosovën, është obligim për BE-në që ka ndihmuar në negocimin e tij [Asociacionit]. Dhe, pasi që ne e mbështesim dialogun, është edhe angazhim yni. Tani, një politikan i vetëm në një parti të vetme politike nuk mund të largohet nga ky detyrim. Pra, ne do të punojmë për Asociacionin. Ky do të jetë kontributi ynë në procesin e dialogut”, ka thënë Emisari amerikan.

Kryeministri Kurti e ka komentuar së fundmi këtë deklaratë, të cilën duket se e ka konsideruar të pavend.

“Unë kam pritur që ai [Escobar] në Beograd do të deklarojë që, pavarësisht presidentit të Serbisë, Serbia duhet ta njohë Kosovën në vend se në Prishtinë të thotë, pavarësisht kryeministrit të Kosovës, duhet të bëhet Asociacioni”, tha Kurti.

Zyrtarët amerikanë kanë thënë disa herë se ata nuk kërkojnë diçka që do të ngjante në Republikën Srpska në Bosnjë e Hercegovinë. Por kjo, edhe më tutje, nuk e ka bindur Kryeministrin Kurti, rrjedhimisht as Lëvizjen Vetëvendosje.

Presidentja Osmani ka thënë në tetor se ajo përkrah “çdo iniciativë që nuk është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”.

“Komunave tashmë u lejohet që të bashkohen në asociacione multietnike, pa kompetenca ekzekutive, pra si OJQ”, kishte deklaruar ajo.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, që është angazhuar personalisht në çështjen e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, ka publikuar një opinion të përbashkët me Escobarin, për Asociacionin.

Në atë shkrim thuhet se SHBA-ja nuk mbështet një Asociacion i cili do t’ia shtonte qeverisë së Kosovës një shtresë të re të pushtetit ekzekutiv dhe legjislativ.

Takimi për Asociacionin në Ambasadën amerikane, përfundoi pak më herët. Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, tha se ai ishte një “sesion dëgjimor”. /Express/