Gjermania ka arritur të shkruajë një kapitull të ri në basketbollin evropian, duke u shpallur kampione e Evropës pas një finaleje dramatike ndaj Turqisë në Riga të Letonisë. Përfaqësuesja gjermane fitoi me rezultat të ngushtë 88:83 dhe kështu siguroi medaljen e dytë të artë në Eurobasket, pas asaj të vitit 1993.
Përfaqësuesja turke ishte shumë afër triumfit, pasi në pushim kryesonte 46:40, ndërsa në fund të çerekut të tretë kishte epërsi minimale 67:66. Në periodën vendimtare, Turqia shkëputi rezultatin në 72:66, por Gjermania reagoi fuqishëm dhe në minutat e fundit përmbysi gjithçka.
Isaac Bonga u bë njeriu i ndeshjes me trepikëshat e tij vendimtarë, ndërsa Dennis Schroder mori përgjegjësinë në sekondat e fundit, duke shënuar katër pikë radhazi për epërsinë 86:83. Me mbrojtjen e fortë gjermane dhe gjuajtjet e pasakta të turqve në sekondat e fundit, trofeu shkoi në duart e gjermanëve.
Statistikat treguan edhe një herë forcën e skuadrës fituese: Bonga përfundoi me 20 pikë, pesë kërcime e tri asistime, Ëagner shtoi 18 pikë e tetë kërcime, ndërsa Schroder përveç 16 pikëve dha edhe 12 asistime. Te Turqia u dalluan Alperen Shengun me 28 pikë dhe Cedi Osman me 23 pikë.
Turqia u kënaq me të argjendtën e dytë në historinë e saj, pas asaj të vitit 2001, ndërsa Gjermania kompleton koleksionin me dy të arta, një të argjendtë dhe një të bronztë në Eurobasket. Ky edicion u vlerësua nga shumë ekspertë si një nga më të mirët në histori.
Gjithçka që keni ëndërruar, por nuk keni mundur ta blini ose nuk keni pasur kohë për procedura të gjata,...