Klubi i xhudos “Polici” nga Prishtina mori pjesë në turneun prestigjioz të xhudos për të rinj, “10.Grand Prix Banska Bystrica Memorial Jana Gregora st”.
Klubi “Polici” u përfaqësua nga xhudistet Ana e Hana Sopjani, nga Riana Muharremi dhe nga Florian Gërguri.
Trajner i tyre ishte Kastriot Cena, ndërsa me sukses drejtësinë e ndau referja e xhudos, Linda Cena.
Në këtë turne morën pjesë disa qindra garues nga shtetet si Sllovakia, Ukraina, Republika Çeke, Lituania, Hungaria, Polonia dhe nga Kosova.
Xhudistët kosovarë bënë gara dy ditë, të shtunën dhe të dielën, por fatkeqësisht nuk ia dolën të fitonin medalje, përkundër faktit se ishin shumë afër.
Gërguri dhe Muharremi humbën në gjysmëfinale në kategoritë përkatëse, por dështuan në duelet vendimtare për medalje të bronzta.
Me këtë rast, Floriani dhe Riana u desh të kënaqeshin me pozitat e pesta.
Kurse, motrat Ana dhe Hana Sopjani nuk arritën deri tek fitorja pasi luftuan në grupmoshat e tyre dhe në ato më të vjetra, ndonëse po ashtu kishin mundësi të fitonin medalje, por që nuk ia dolën.
Nesër, klubet “Polici” dhe “Studenti” do të ndalen në kampin e xhudos, ku do të kenë mundësi të mësojnë teknika dhe taktika të reja, por edhe përvojë nga trajnerë të njohur që do të ligjërojnë dhe praktikojnë.
Vlen të përmendet se organizatori i turneut “10.Grand Prix Banska Bystrica Memorial Jana Gregora st”, klubi i xhudos “Dukle” nga Banska Bistryca ishin mjaft mikpritës dhe miqësorë, duke e bërë një organizim fenomenal të këtij turneu tradicional.
Kryetari i klubit të xhudos “Polici”, Anton Cena e ka falënderuar përzemërsisht zyrën sllovake për mbrështetjen dhe për pajisjen me viza njëvjeçare të xhudistëve të këtij klubi. /Gazeta Express/