Forca e Sigurisë së Kosovës ka përmbyllë pjesëmarrjen e saj në Operacionin “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar.
Në një njoftim, FSK tha se ishte pjesë e këtij operacioni, i cili është në mbështetje të Ukrainës që nga fillimi i vitit 2024, duke dëshmuar “nivel të lartë profesionalizmi, përkushtimi dhe aftësish ushtarake”.
“Kontributi i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës është vlerësuar lart nga partnerët ndërkombëtarë, duke forcuar më tej reputacionin e Kosovës si një kontribuuese e besueshme në operacionet ndërkombëtare të sigurisë dhe në përpjekjet e përbashkëta për paqe e stabilitet”.
FSK tha se operacioni “Interflex” është një iniciativë shumëkombëshe e udhëhequr nga Mbretëria e Bashkuar, e cila ka për qëllim përgatitjen dhe trajnimin e forcave ushtarake ukrainase, me synim rritjen e kapaciteteve të tyre operacionale dhe gatishmërisë për mbrojtjen e vendit.

“Që nga fillimi i angazhimit në këtë operacion, Forca e Sigurisë së Kosovës ka marrë pjesë me pesë kontingjente të njëpasnjëshme, duke kontribuar me instruktorë dhe personel të specializuar në realizimin e programeve të trajnimit për ushtarakët ukrainas. Përmes këtij angazhimi, FSK ka dëshmuar ndërveprueshmëri të lartë me forcat partnere dhe aftësi profesionale në mjedise shumëkombëshe”.
Përveç kontributit në kuadër të Operacionit “Interflex”, FSK tha se Republika e Kosovës ka dëshmuar mbështetjen e saj të vazhdueshme ndaj Ukrainës edhe përmes pjesëmarrjes në konferencat dhe forumet ndërkombëtare të dedikuara koordinimit të ndihmës për Ukrainën, si dhe përmes ofrimit të ndihmës konkrete në pajisje dhe donacione për Forcat e Armatosura të Ukrainës.
“Këto veprime pasqyrojnë përkushtimin e Kosovës ndaj vlerave demokratike, respektimit të së drejtës ndërkombëtare dhe solidaritetit me popullin ukrainas në përballje me agresionin ushtarak, duke e pozicionuar Kosovën si një partnere aktive dhe të përgjegjshme në përpjekjet e përbashkëta për siguri dhe stabilitet në Evropë”.

Në përfundimin e Operacionit “Interflex” në Mbretërinë e Bashkuar është organizuar ceremoni përmbyllëse ku u ndanë çmime dhe mirënjohje për punën, përkushtimin dhe kontributin e pjesëtarëve të FSK-së, gjatë realizimit të misionit.
“Këto vlerësime përfaqësojnë një dëshmi të qartë të profesionalizmit, përkushtimit dhe standardeve të larta që karakterizojnë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ato njëkohësisht pasqyrojnë kontributin e vazhdueshëm të FSK-së në forcimin e sigurisë ndërkombëtare, partneritetit me vendet aleate dhe mbështetjes së përpjekjeve për paqe, stabilitet dhe siguri në nivel global”.
Blerjet e përditshme tani mund t’ju sjellin më shumë se produkte në shportë. Më 26 dhe 27 qershor, Interex...