Fjalimi historik i Dimal Bashës - Gazeta Express
string(31) "fjalimi-historik-i-dimal-bashes"

Fjalimi historik i Dimal Bashës

OP/ED

Gazeta Express

30/09/2022 14:22

Mund ta imagjinoni Bashën ta marrë ndonjë lëng çudibërës dhe nën ndikimin e tij ta mbajë një fjalim në Kuvendin e Kosovës, ku do ta thoshte atë që do ta thoshim ne për të

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

Greva disa javore në arsim ka bërë që njerëz me lehtësi gjykimi dhe sidomos etiketimi t’ua heqin frerët gjuhës, duke e lëshuar të galopojë me trokun e theqafjes.

Një prej shembujve tipikë të këtij fenomeni është edhe deputeti Dimal Basha. Ai, duke qenë, me shumë gjasë, se ndihet i thirrur dhe i privilegjuar të jetë mburojë vullnetare e pushtetit, më përkatësisht liderit, u bë zëri i përditshëm i kundërshtimit të grevës. S’do mend, pa e marrë mundin fare të zgjedhë si të përballet me palën rivale, deri në momentin kulmor kur u vetëkënaq me një përballje verbale të dhunshme me kryetarin e sindikatës dhe i quajti mësimdhënësit analfabetë që prodhojnë analfabetë. 

Kjo natyrisht e turbulloi edhe më keq ujin që veç po vërshonte tashmë.

I mbështetur, më saktësisht i paluar për muri, z.Basha shfrytëzoi (për çudi, sepse ai nuk njihet për veprime të tilla jopopullore dhe të papritura) altarin e shenjtë të popullit, foltoren e Kuvendit, pikërisht në seancën ku diskutohej tërbimi i alienëve kundër liderit dhe mbajti një fjalim që hyri në histori.

«Të dashur deputetë të paluar të Kosovës së paluar,

të dashur qytetarë të paluar,

të dashur të padashur të paluar,

të dashur palues,

me siguri ju do të habiteni se si një analfabet, për më tepër i paluar, si unë, po e merr guximin t’ju drejtohet. Por, ju lutem, a mund t’i lëmë anash shakatë pa krip?! Natyrisht se mund t’ju drejtohem. Sepse dua të bëj një sqarim, ndaj të cilit, e di fare mirë, s’do të (mund të), keni asnjë kundërshtim; nuk duhet (guxoni) të keni asnjë kundërshtim.

Një deklaratë e imja, thënë të vërtetën me shumë vend dhe me shumë mend, ka ngritur një mal (hahaha, arsimtarët e mi të historisë më thoshin se emri im vjen nga një urdhër, maksimë e shenjtë shqiptare: Dil në mal, dil n’mal, dil’mal, dimal dhe të gjithë të parët e mi kanë qenë cuba me nam) me pakënaqësi. Pa e përjashtuar edhe të kundërtën, një mal me kënaqësi. Ngase ne jemi pushteti, do të thotë populli, i kemi pesëdhjetë e një për qind të votave, do të thotë pesëdhjetë e një për qind të votuesve nga numri i përgjithshëm i votuesve me të drejtë vote (më rroi dreqi po e parashtrova pyetjen sa për qind e atyre votuesve s’e kanë ushtruar të drejtën?) janë kundër grevës. Kjo automatikisht, për antonomazi (s’di çka do të thotë por më paluan ta përdor), do të thotë se pesëdhjetë e një për qind të votuesve kanë qeshur dhe u është bërë zemra mal (si shumë po vjen në përdorim kjo fjalë). 

Unë pra dua t’i qetoj paksa zemrat e mësimdhënësve dhe t’i siguroj se kam një sekret për ta zbuluar (notat m’i kanë zbuluar tashmë, se ne jemi shoqëri, dua të them pushtet transparent palues). Po të kishit shikuar me më shumë vëmendje, po të kishit qenë më shumë vigjilentë, siç thotë populli troç, po t’i kishit zgurdulluar sytë më shumë, do të kishit vërejtur se unë, edhe pse dukesha i paluar, me duart e puqura për trupi si rekrut i lemerisur, në momentin kur e nxora nga goja atë fjalë aq të bujshme, atë perlë të paluar, në atë moment pra, të dashur mësues të paluar, po bëja me shenjë nga vetja.

Pse?, do të pyesni ju të habitur, të paluar.

Ngase, me zemrën që më pikte gjak, me gjuhën që më pikte vrer, doja t’jua bëja me dije: JA, ANALFABETI!

Si mund të mos më shihnit? Si mund të mos ju verbonte e vërteta që shkëlqente para syve tuaj? Oh, a mos po shkonit me mendjen se ne, analfabetët, i kemi veshët e gomarit a tureçkën e derrit? Jo ore, jemi si të gjithë ju, as më të pashëm as më të pa dokë. 

Që të jem më i qartë, doja t’ju thosha: J’ACCUSE!

(Oh çfarë fjale!)

J’accuse… juve, mësues të dreqit të paluar, që më keni kaluar nga njëra ditë në tjetrën, nga njëra provë në tjetrën, nga njëri semestër në tjetrin, nga njëri vit në tjetrin, duke e ditur se nuk e meritoja këtë dhe për më tepër, më pëlqente dhe bëja çmos të mos e meritoja.

J’accuse… juve, që më nxorët nga bankat me vetëbesimin se mund të dilja nga aty dhe të vazhdoja tutje, me të njëjtën mënyrë, një nxënës i shkretë i paluar rrugës për të paluar.

J’accuse… juve, mësues të paluar, analfabetë që më bëtë analfabet, për shpëtimin tim, dhe m’i dhatë krahët të çaja përpara në karrierën time akdamike dhe politike.

J’accuse… juve, mësues të paluar, që i dhatë verbërinë votuesit të paluar analfabet të më votojë mua analfabetin e paluar, duke bërë kështu që edhe unë, i shkreti i paluar, ta ul të pasmen në lëkurën e butë të mëndafshtë të altarit të shenjtë të popullit të paluar.

J’accuse… juve mësues, që më bëtë deputet mua analfabetin e shkretë dhe kështu më bëtë simbol të rezultatit të punës suaj jetësore.

J’accuse…. juve mësues që më dhatë arsimin e mjaftueshëm për ta përdorur para opinionit publik termin «palim» si kërcënim dhe fyerje, banalizim dhe përçartje, kryefjalë të diskursit tim rrugor, në mungesë të argumentimeve të shëndosha logjike.  

J’accuse… juve, mësuesve të mi, që e paluat Kosovën me një analfabet të shkretë si unë. Si unë, një në mesin e të shumtëve. Dhe dua t’ju akuzoj dhe paloj edhe për një të vërtetë të hidhur që s’po më lë të vë gjumë në sy. Si keni mundur ta prodhoni pothuajse në të njëjtën kohë me mua atë analfabetin tjetër të paluar që po “palavit” (a ju kujtohet ajo fotografia e tij e famshme e zbukuruar me atë bashkëqeshjen legjendare prej idiotësh?), duke ma rrezikuar kështu kryesimin në listën e budallenjve.

J’accuse që e keni ndëshkuar vendin tonë tuaj me mua ne.

Mirupafshim në palimin tjetër analfabet,

I juaji përgjithmonë analfabet i paluar palues

DB

P.S.

Ju paloj».