Përkitazi me filmin Parfumi: Historia e një vrasësi (2006), të regjisorit gjerman, Tom Tykwer, bazuar në librin me po të njëjtin emër, i publikuar në vitit 1985, i shkrimtarit gjerman, Patrick Suskind.
Dritan Dragusha
Në një shkallë të caktuar trysnie secila lëndë e ka pikën e fundme të saj, madje edhe ana shpirtërore e ka momentin e saj të fundit, kështu shpjegonte dikur shkrimtari austriak, Stefan Zweig, në librin e tij “Dehje nga Metamorfoza”. Ai aty shpjegon se ka një moment të dehjes nga shndërrimi. Edhe aromat kanë metamorfozën e tyre dehëse. Enigma e një arome të pashprehur është shtysa më e fuqishme njerëzore. Era e një lule në maj të një shkëmbi përherë mbetet një enigma për ne dhe njëkohësisht një dëshirë e fshehur për ta kuptuar atë fenomen përtej fakteve shkencore. Tek filmi “Aromë gruaje”, edhe pse i verbër, nënkoloneli Frenk-i në momentin që një grua i kalon afër ai është në gjendje që ta përshkruaj atë nëpërmes aromës së saj. Pra, kjo dëshirë ka bërë që njeriu të (ri)krijoj aroma nga më të bukura dhe të çuditshmet, sa që të krijohet përshtypja se industria që merret me këtë fushë ka tejkaluar edhe imagjinatën njerëzore. Mirëpo, duket se as kjo nuk e ka përmbushur kërkesën apo boshllëkun e njeriut për aromë. Me gjasë, njeriu vazhdimisht është në kërkim të asaj aromës ideale. Në kërkim të asaj arome të përkryer. Aromës së pashprehur apo aromës së vdekjes.
Në filmin Parfumi: historia e një vrasësi, përballemi me një seri ngjarjesh që kanë për subjekt aromën dhe fuqinë e saj për të krijuar realitete të reja. Filmi fillon me Jean Baptiste Grenouille (Ben Whishar), i varur në litar në një trekëmbësh, në shesh që pritet t’i shqiptohet dënimi me vdekje. Ai kishte një aftësi të jashtëzakonshme për nuhatjen e aromave. Kjo fuqi tek ai gradualisht do të nxjerr edhe një anë tjetër të tij, atë të një përbindëshi, i cili i dehur nga aromat shndërrohet edhe në vrasës famëkeq. Në mes të procesit gjyqësor, jeta dhe të bëmat e tij tregohen në retrospektivë. Që nga lindja e tij në një treg peshku francez, rritja si jetim e deri tek strategjia e tij për të zgjuar tek vetja një aftësi super-njerëzore të shqisës së nuhatjes. Ai mund te nuhas më tepër se ç’mund të pandehim në rrëfimet e zakonshme. Ai, në mënyrë të veçantë, nuhat gratë, si posedueset e erërave më të fuqishme.

Pas maturimit të tij, si nxënës, ai fillon shpërndarjen e parë të parfumeve në Paris, ku ai kënaqet teksa zbulon shumëllojshmëritë e aromave të reja, e të cilat i bënë me shumë lehtësi. Momenti që shënon ndryshimin e tij të madh, është takimi i tij me vajzën flokëkuqe, shitësen e kumbullave (portretizuar nga Karoline Herfurth), dhe emocionin që ajo përcjell tek ai. Duke ndjekur atë në mënyrë të përsëritur, dhe duke ndjerë edhe nga largësia aromën e saj, vajza e ndrojtur befasohet nga sjellja e tij jo e zakonshme dhe kjo ja fut tmerrin.
Meqenëse, Genius Grenouille mund të zbulojë dhe të bëjë dallimin në largësi të mëdha të aromave, dhe po ashtu, me anë të instinktit të ashpër dhe dinak, brejtës i mbijetesës, ai bën kontratë për të punuar në parfumerinë Baldini (Dustin Hoffman). Genius Grenouille zhgënjehet me teknologjinë e arkaike të distilimit dhe mënyrës së përpunimit të një parfumi. Kështu që, ai udhëton për Grasse në jug të Francës, ku praktikohet arti i lashtë i enfleurage: heqja e vajit esencial në një lule.
Ndjekja e vajzës me flokë të kuqe dhe dëshira e madhe që ta takoj atë nga afër, por i paaftë që në mënyrë të rëndomtë të krijojë afërsi me të, në dehje e sipër nga aroma e saj, pa qëllimshëm e mbyt atë. Pasi e kupton krimin që e ka bërë, i pafuqishëm t’i rikthej gjërat nga e para, ai e zhveshë atë dhe trupin e saj tashmë lakuriq e nuhatë deri ne dëlir. I tmerruar nga shpenzimi i kundërmimit të aromës së saj, Grenouille përhumbet në dëshirën për ta rikrijuar aroma e vajzës dhe për ta rikrijuar një aromë të tillë atij për një alkimi kaq të shëmtuar, i duhen 13 kufoma të bukur të femrave. Që nga ky moment, aktivitet e Grenouille me motivacion të rikrijimit të së njëjtës aromë, shtrihen mes shumë viktimave të pafajshme, të gjitha femrat. Ai do ta bëjë krijimin e dhjetëra nuancave nga trupat e tyre të vdekur.
Kjo që paraqitet në këtë film në njëfarë forme na e kristalizon edhe iluzionin që shpeshherë na krijon obsesioni. Parfumi: historia e një vrasësi, është një film i mrekullueshëm për sensualitetin, dëshirën, lakminë, e sidomos për obsesionin që dërgon deri edhe në vrasje. Obsesioni për aromat i tejkalon edhe kufijtë e imagjinatës. Në njëfarë forme një obsesion i tillë, që shfaqet edhe tek skena e fundit e këtij filmit, dëliri që krijohet në shesh nga Grenouille, i ngjanë edhe dëlirit që kishte obesionuar edhe dikur nazizmi.
/Gazeta Express
Opel Corsa Hybrid Edition në Foleja Motors vjen si një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një veturë moderne,...