Federata e Basketbollit e Kosovës ka reaguar pas incidenteve që ndodhën sonte në finalen e Superkupës, në ndeshjen mes Sigal Prishtinës dhe Trepçës.
Kjo ndeshje u fitua nga kryeqytetasit me rezultatin 73:54, shkruan Gazeta Express.
Kjo ndeshje u përshkrua me tensione në tribuna, ku të pranishëm ishin “Plisat” dhe “Torcidat”.
Një përplasje e madhe mes tyre ndodhi pasi përfundoi pjesa e parë, me ç’rast u nevojit edhe ndërhyrja e policisë.
Zyrtarët e ndeshjes pastaj vendosën për zbrazje të palestrës dhe pjesa e dytë e ndeshjes u zhvillua pa praninë e tyre.
FBK ka reaguar pas përfundimit të kësaj ndeshje. Në reagimin e kësaj Federate thuhet:
“FBK dënon ashpër dhunën dhe huliganizmin në basketboll
FBK ka bërë të gjitha përgatitjet në lidhje me Superkupën e Kosovës dhe sidomos ndeshjen finale ndërmjet Sigal Prishtinës dhe Trepçës.
Para kësaj përballje është mbajtur edhe një takim me Policinë e Republikës së Kosovës, ku është marrë vendim që të largohen të gjitha ulëset VIP, kemi krijuar tampon zone mes tifozerive, e kemi përgatitur planin operativ për ardhjen dhe largimin e tifozerive, si dhe janë angazhuar forca te mjaftueshme të Policisë dhe sigurimit privat.
Dënojmë fuqishëm dhunën e shfaqur në takimin e finales Sigal Prishtina-Trepça dhe do të bëjmë të gjithë përpjekjet që këto skena të mos përsëriten asnjëherë në basketbollin e Kosovës.
Ne kemi ndaluar udhëtimet e tifozëve mysafirë në Superligë dhe do të vazhdojmë me masa tjera, deri në zhdukjen e huliganizmit, që nuk ka vend në sportin tonë të dashur dhe që kemi derdhur dhe po derdhim shumë ndjersë.
FBK do të analizojë ndeshjen e sotme dhe do të marrë masat e nevojshme.
Kryetari i FBK-së, Arben Fetahu, është ftuar të hënën për të raportuar para institucioneve rreth incidentit të fundit”. /Gazeta Express/