Vampiri më i frikshëm i letërsisë do të shfaqet këtë vit në Edinburgh Fringe, por jo në një version të zakonshëm. “Dracula: Lucy’s Dream” është një shfaqje e errët, shqetësuese dhe e guximshme me kukulla, që i jep historisë një kthesë femërore dhe motrore.
Kush është Drakula juaj? Nosferatu me dhëmbët e mprehtë i Max Schreck? Bela Lugosi me smoking? Apo personazhi me nofull të theksuar nga “Hotel Transylvania”?
Sipas regjisores së teatrit Yngvild Aspeli, Drakula është një figurë që “ekziston për ne edhe para se ta dimë kush është”. Këtë verë, ajo po sjell në Edinburgh Fringe një version të tij si kukull – një vampir të ftohtë, të frikshëm dhe thellësisht hipnotizues.
“Ka pasur histori për vampirë shumë kohë para Bram Stokerit, por ishte ai që u dha atyre jetë të re”, thotë Aspeli.
Pas shikimit të shfaqjes së saj “Dracula: Lucy’s Dream”, kjo kukull me pamje të zbehtë, të ngrirë dhe me përmasa njerëzore mbetet në mendje po aq fuqishëm sa Drakula i Gary Oldmanit me cilindër apo Christopher Lee me buzëqeshjen e përgjakur.
Pamja e saj përputhet me përshkrimin që Jonathan Harker i bën kontit në romanin e Stokerit: një figurë me një zbehje të jashtëzakonshme. Autori i këtij shkrimi e kishte parë shfaqjen disa muaj më parë në Paris dhe thotë se ende e ndjek nga pas. Iluzioni është aq i sofistikuar, sa të krijohet përshtypja se Drakula shpërbëhet dhe rishfaqet para syve.
Kjo është edhe fuqia teknike e kompanisë franko-norvegjeze “Plexus Polaire”. Falë ndriçimit fantazmagorik të Emilie Nguyen, në skenë ndodhin transformime mahnitëse, ku aktorët dhe kukullat shpesh bëhen pothuajse të padallueshëm nga njëri-tjetri.
“Drakula është personazh shumë i mirë për një kukull”, thotë Aspeli përmes një video-thirrjeje nga Norvegjia, sepse një objekt i pajetë “ka nevojë për aktorët prej mishi e gjaku që ta bëjnë të gjallë”.
Regjisorja është frymëzuar edhe nga një përkthim islandez i vitit 1901, “Powers of Darkness”, ku Valdimar Ásmundsson kishte marrë shumë liri krijuese, duke shtuar dhe ndryshuar personazhe nga vepra origjinale e Stokerit.

Ndërsa versioni feminist i Morgan Lloyd Malcolm në “Lyric Hammersmith” i dha Mina Harkerit kontroll mbi rrëfimin, në këtë shfaqje në qendër është Lucy, mikja e saj e dashur.
Në romanin e Stokerit, Lucy kalon nga një vajzë e gëzuar që merr tri propozime martese brenda një dite, në një figurë të munduar nga ecja në gjumë dhe më pas e vampirizuar nga Drakula.
Por Aspeli thotë se në produksionet e saj shpesh përpiqet “ta nxjerrë personazhin femëror nga pozita e viktimës”. Jo domosdoshmërisht për ta ndryshuar historinë, por për ta ndryshuar këndvështrimin.
Në skenë, kjo krijon një forcë motrore kundër burrave patriarkalë të shkencës, të cilët në histori marrin përsipër kontrollin e rastit, por edhe të grave.
Stoker, i cili ishte edhe menaxher teatri, e paraqiti Drakulën si një lloj mjeshtri kukullash. “Çështja e manipulimit do të jetë gjithmonë e rëndësishme”, thotë Aspeli.
Rrëfimi i saj eksploron traumën dhe mënyrën se si abuzimi psikologjik mund të të kontrollojë edhe pasi nuk po ndodh më. Çfarë i bën kjo mendjes dhe trupit më pas?
Ky interes e ka shoqëruar regjisoren prej kohësh dhe ka ndikuar edhe në emrin e kompanisë që themeloi në vitin 2008. “Plexus solaire”, ose pleksusi diellor, është vendi ku, sipas saj, emocioni qëndron në trup.
Ndërsa “polaire” lidhet me polaritetin.
“Unë punoj me kundërvënie. Në të gjitha shfaqjet e mia ka një ekuilibër mes arsyes dhe çmendurisë, realitetit dhe iluzionit”, thotë ajo.
Në versionin e saj të ethshëm të “A Doll’s House”, Nora vallëzon tarantelën, si në dramën e Ibsenit, dhe kjo bëhet pikënisje për shfaqjen e një merimange gjigante, që i jep kuptim emrit të vallëzimit.
“Dracula: Lucy’s Dream” krijon një botë kaq të plotë, atmosferike dhe të errët, sa është befasi kur në përshëndetjen finale dalin vetëm pesë persona. Ata duken të lodhur, sepse gjatë gjithë shfaqjes kanë punuar pa pushim, brenda dhe jashtë hijes.
Edhe rekuizitat janë minimale. Gjithçka ngjan me një akt magjie.
“Është fuqia e iluzionit”, thotë Aspeli. “Më pëlqen mjeshtëria e vjetër e teatrit të kukullave dhe mënyra si mund të krijosh diçka pothuajse nga asgjëja.”
Për të, madhësia e kukullave është thelbësore për çdo produksion.
“Nëse një aktor kontrollon një kukull shumë më të vogël, kjo thotë diçka tjetër për marrëdhënien. Ajo që më intereson mua është marrëdhënia që krijohet mes aktorit dhe kukullës si të barabartë.”
Kukullat e saj me përmasa njerëzore, të frymëzuara nga tradita bunraku, janë ndërtuar sa më të lehta dhe sa më të sakta anatomikisht, për të mundësuar lëvizje realiste.
Ashtu si në roman, edhe në “Dracula” të saj tingulli ka rol kryesor. Në shfaqje dëgjohen ulërima therëse dhe një këngë e frikshme e kompozuar nga Ane Marthe Sørlien Holen, “The Children of the Night”, një shprehje që Drakula i Stokerit e përdor kur Jonathan dëgjon ulërimat e ujqërve.
Si vajzë e vogël, edhe vetë Aspeli kishte frikë nga ujqërit. Ajo fajëson për këtë bishën e egër Gmork nga “The Neverending Story”.
“Ai ishte ujku i maktheve të mia”, thotë ajo.
Që nga themelimi i “Plexus Polaire”, Aspeli ka parë se si teatri i kukullave ka fituar gjithnjë e më shumë respekt si formë arti për të rritur.
Në Edinburgh Fringe, ku më herët ka performuar me trupën britanike të klounadës “Jammy Voo”, ajo do të shfaqet në një sallë me kapacitet prej 1,200 vendesh në Edinburgh International Conference Centre. Kjo nuk është më një hapësirë e vogël apo margjinale.
“Kjo ka marrë shumë kohë, por kjo formë arti mund të ekzistojë në mënyrë të barabartë dhe në të njëjtat hapësira me format e tjera teatrale”, thotë ajo.
Ideja se teatri i kukullave nuk është vetëm argëtim për fëmijë tashmë mund të jetë pranuar, por Aspeli thotë se kjo ende duhet përsëritur.
“Mos i dërgoni fëmijët e vegjël në ‘Dracula’!”, thotë ajo duke qeshur. “Unë nuk e marr përsipër atë përgjegjësi!” /GazetaExpress/