Ekskluzive: Dokumenti që tregon origjinën e minishengenit dhe manipulimet e Edi Ramës - Gazeta Express
string(84) "ekskluzive-dokumenti-qe-tregon-origjinen-e-minishengenit-dhe-manipulimet-e-edi-rames"

Ekskluzive: Dokumenti që tregon origjinën e minishengenit dhe manipulimet e Edi Ramës

Gazeta Express

24/12/2019 13:53

Gazeta Express ka siguruar një kabllogram që tregon origjinën e iniciativës që njihet si “minishengeni ballkanik”, të cilën po tentojnë ta jetësojnë Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria. Në bazë të këtij dokumenti, prapa kësaj ideje qëndron Fondacioni për Shoqëri të Hapur i miliarderit George Soros. Në letër, ideja është hedhur nga ish-zyrtarja e lartë e Departamentit të Shtetit të ShBA-së, Victoria Nuland, ndërkohë që në terren e ka shtyrë Alexander Soros-i, djali i miliarderit të famshëm, i cili është vizitor i shpeshtë në rajon

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vendosur t’i qërojë hesapet me Kosovën dhe përfaqësuesit e saj. Teksa po mundohet që bashkë me kolegët e tij, Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, dhe kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ta jetësojë këtë ide, që Kosova ka vendosur ta refuzojë për shkak të mbizotërimit serb dhe relativizimit të shtetësisë së saj, Rama po bën edhe manipulime të mëdha.

Lexo Edhe:

Ai po e paraqet këtë iniciativë duke bërë krahasime me takimet BE – Ballkan Perëndimor, ku Gjermania dhe Franca, si dy motorët kryesorë të unionit mbledhin ballkanasit, përfshirë Kosovën e Serbinë, për t’i mbajtur me shpresë për integrimet evropiane. Manipulimi tjetër është se Rama në adresimet para gazetarëve po thotë se me refuzimin e saj, Kosova po armiqësohet me BE-në dhe SHBA-në.

Por, nga dokumenti që e ka siguruar Gazeta Express del se kjo nuk është fare e vërtetë. Iniciativa nuk është e sponsorizuar nga Amerika dhe Evropa, por nga një miliarder. Shtetet e Bashkuara të Amerikës thuhet se e mbështesin këtë iniciativë vetëm në parim, pasi ato e inkurajojnë bashkëpunimin rajonal, por, siç kanë theksuar, vetëm nëse një gjë e tillë i përfshin të gjithë. Madje edhe kur Rama ia dha lirinë Vuçiqit ta shpjegojë idenë në Paris para Macron-it, presidenti francez e kishte pyetur nëse ajo është “all inclusive”.

Në dokumentin e MPJ-së, të cilin e ka parë Gazeta Express, thuhet se “kjo iniciativë është ideuar nga Victoria Nuland-i (ish-zyrtare e lartë në Departamentin e Shtetit), që aktualisht është e angazhuar në sektorin privat dhe është sponsorizuar nga Fondacioni për Shoqëri të Hapur, përkatësisht nga Alexander Sorosi”.

Më tej, në dokument theksohet se përgatitjet intensive për këtë kanë filluar nga muaji shtator, ndërkohë që rikujtohen edhe takimet e Nuland-it dhe Soros-it në Tiranë, Beograd dhe Shkup.

Dokumenti tërheq vërejtjen për rreziqet që i kanosen Kosovës në aspektin politik. Aty thuhet se Minishengeni i jep Serbisë mundësi që të dëshmohet si faktor konstruktiv në rajon pa përmbushur asnjë detyrim karshi Kosovës. Sugjerohet madje që Kosova t’i kundërvihet kësaj iniciative në bashkëpunim me Shqipërinë dhe Malin e Zi për shkak se Podgorica e ka refuzuar ose ka rezerva ndaj projektit. Por, siç po shihet tashmë, Rama ka zgjedhur tjetër rrugë, duke e sulmuar Kosovën dhe duke bashkëpunuar me Vuçiqin.

“Nëse Kosova nuk reagon me kohë, ka rrezik që njohja reciproke, si produkt final i marrëveshjes Kosovë- Serbi, të zëvendësohet me qasje të barabartë në platforma të tilla. Kjo do t’i mundësonte Serbisë që të përparojë në agjendën evropiane pa e njohur Kosovën”, theksohet në këtë dokument. Aty po ashtu tërhiqet edhe vërejtja edhe për kostot ekonomike në dëm të Kosovës.

Nisma për minishengen i ka acaruar marrëdhëniet Kosovë -Shqipëri. Rama, përveç sulmeve ndaj lidershipit kosovar, ka thënë se Serbia ka pranuar që kjo ide të jetësohet pa asnjë kusht, që është një dezinformatë nga ana e shefit të qeverisë shqiptare, pasi që Serbia në format të tillë nuk do ta pranonte kurrë shtetësinë e Kosovës, nisur madje as nga diçka elementare, siç është ekspozimi i flamujve, e as nuk do të mund të udhëtonin drejt Serbisë në takimet me rotacion.

E pikërisht të shtunën që shkoi, kur Rama i priti kolegët nga rajoni, Vuçiqin, Zaevin e Gjukanoviqin, në Tiranë ka qëndruar edhe Alexander Soros-i, i cili muajve të fundit ka zhvilluar ‘shuttle diplomacy” në rajon, duke fluturuar sa në Beograd, sa në Prishtinë e Shkup.

Por si duket diplomacia e Soros-it nuk funksionoi. Kosova e refuzoi ftesën për të shkuar në Tiranë. Hashim Thaçi e bëri të ditur refuzimin e Kosovës nëpërmjet një postimi në Facebook, duke thënë se pengesë për mospjesëmarrjen e Kosovës është Serbia, e cila në mënyrë të vazhdueshme minon përpjekjet  për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës.

“Rethanat që e kanë pamundësuar pjesëmarrjen e Republikës së Kosovës në takimin e parë, të mbajtur në Novi Sad, dhe në të dytin, të mbajtur në Ohër, nuk kanë ndryshuar. Si rrjedhojë, unë si President i Republikës së Kosovës, në emër të institucioneve shtetërore, e refuzoj pjesëmarrjen në takimin e tretë të këtij formati rajonal që mbahet në Tiranë”, kishte shkruar Thaçi.

E në reagimin e tij, Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, tha se e gjithë kjo iniciativë është e menduar që ta heqë taksën 100 % që ai e ka vendosur ndaj mallrave serbe. Ndaj kësaj deklarate erdhi menjëherë reagimi i Edi Ramës, i cili tha se Haradinaj është gënjeshtar. (Sh.L)