Vllaznia u përmbys të dielën 1-2 nga AF Elbasani në ‘Air Albania’, për raundin e fundit të ‘Final 4’ dhe gjithë sezonit në Superligë.
Me kombinimin e rezultateve ishte Egnatia që meritoi titullin kampion për këtë sezon, i treti radhazi për rrogozhinasit.
Ndërkohë, në kampin shkodran gjërat duket se nuk kanë shkuar siç duhet edhe në aspektin mes stafit dhe futbollistëve.
Mediet raportojnë se trajneri Edi Martini është përplasur me mbrojtësin brazilian, Andrey Yago.
Madje Top Channel shkon më tej duke shkruar se trajneri Martini e ka pështyrë në fytyrë 28-vjeçarin.
Gjithçka duket se lidhet me mosaktivizimin e Andrey Yago nga minuta e parë.
Mbrojtësi ka luajtur 45 ndeshje sezonin e fundit me Vllazninë në të gjitha kompeticionet, ndërsa dje u la në stol.
Kjo duket se ka sjellë edhe përplasjen mes palëve.
Yago prej dy vitesh e gjysmë është pjesë e Vllaznisë, ndërsa pas duelit të djeshëm kontrata e tij me shkodranët ka përfunduar.