Rajoni më jugor i Japonisë, Okinawa, po përgatitet për mbërritjen e Tajfunit Jangmi, i cili pritet të sjellë reshje të dendura shiu dhe erëra të fuqishme.
Agjencia Meteorologjike e Japonisë tha se Ishujt Okinawa, Ishujt Sakishima dhe Ishujt Daitō përballen me rreziqe të larta nga rrëshqitjet e dheut dhe valët e larta.
Agjencia parashikon erëra që mund të arrijnë deri në 162 kilometra në orë, ndërsa stuhia pritet të lëvizë drejt rajonit Amami të martën, përfshirë ishullin Amami Oshima.
Banorëve u është kërkuar të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të qëndrojnë në gatishmëri të lartë. Personat e moshuar dhe ata që mund të kenë nevojë për më shumë kohë për t’u larguar janë paralajmëruar të evakuohen në disa zona të Okinawës dhe Amamit.
Po ashtu, reshje të dendura shiu priten të mërkurën në rajonin bregdetar Kanto, ku bën pjesë edhe Tokio.
Për shkak të stuhisë, më shumë se 400 fluturime të planifikuara kryesisht nga dhe drejt Okinawës janë anuluar nga All Nippon Airways.
Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, Jangmi është tajfuni i gjashtë i vitit. Në vitin 2025, Japonia regjistroi gjithsej 27 tajfune, më shumë se mesatarja vjetore prej 25, shkruan Euronews.