Një ngjarje e paprecedentë ka ndodhur në Kampionatin Europian të Taekwondos që u mbajt në Tiranë, aty ku një trajner nga Kosova goditi me shuplakë vajzën e tij 8-vjeçare, pas humbjes së saj kundër serbes.
Në një intervistë për “Shqipëria Live”, Valmir Fetiu tregoi se shuplaka nuk kishte qëllim dhune, por vetëm për ta kthjelluar vajzën e tij, e cila ndodhej në një moment shoku.
“Nuk i dhashë shuplakë ta gjuaja 5 metra tutje, por ta qetësoja vajzën time dhe të vinte në kontroll. Bashkëshortja ime ishte pas meje. Të gjithë e dinë se sa e dua vajzën time. Këto janë bërë vetëm për klikime dhe si ta ulin një prind. Kjo është hera e parë dhe e fundit në jetën time. Kam 20 vite si trajner. Është tjetër ndjenjë kur hynë vajza dhe tjetër ndjenjë kur hynë një garues tjetër. Unë me çdo kusht jam në mbrojtje të fëmijëve. Por ishte në gjendje shoku dhe duhet ta kthjelloja. Unë nuk kam kohë të lexoj komente. Ajo është nënkampione e Europës dhe së shpejti do bëhet kampione e Botës dhe kampione olimpike. Vajza ime është nënkampione e Europës. Sot ka shkuar në shkollë dhe e kanë pritur sikur po shkon një kryeministër. Unë për vete nuk e kam problem, sepse karrierën time e kam mbyllur dhe nuk do të lë kurrë që vajzës time t’i mbyllin karrierën sepse e ka goditur trajneri, që në këtë rast jam babai i saj. Jam dënuar 6 muaj nga Federata Europiane”, u shpreh ai.