Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka bërë të ditur se ka prezantuar raportin e punës së tij dyvjeçare në krye të legjislativit, duke theksuar se besimi i dhënë duhet të arsyetohet me punë, transparencë dhe llogaridhënie.
“Dy vite më parë mora përgjegjësinë për të udhëhequr Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Sot, para deputetëve, opinionit dhe qytetarëve, prezantova raportin e punës sime, me bindjen se besimi i dhënë duhet të arsyetohet me punë, transparencë dhe llogaridhënie.
Këtë akt e konsideroj jo vetëm si një obligim institucional, por mbi të gjitha si një detyrim moral dhe demokratik. Gjatë këtyre dy viteve jam përpjekur ta udhëheq Kuvendin me përkushtim dhe respekt ndaj të gjitha dallimeve politike, duke punuar për një institucion më funksional, më të hapur dhe më afër qytetarëve. Kemi forcuar diplomacinë parlamentare, kemi avancuar transparencën dhe digjitalizimin, si dhe kemi punuar për ta konsoliduar rolin e Kuvendit si shtëpi e demokracisë dhe e dialogut.
Ky raport është dëshmi e punës së përditshme, e përpjekjeve të përbashkëta dhe e bindjes se institucionet forcohen kur veprojnë me përgjegjësi dhe llogaridhënie.”, ka shkruar Gashi.
tag_katrorimaqedoni_2