Të shtunën mbrëma, në palestrën “Karagaçi” në Pejë, Golden Eagle Ylli arriti të marrë fitoren minimale ndaj GO+ Pejës, me rezultatin 90:89, në ndeshjen e xhiros së 16-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Ndeshja u karakterizua nga ritëm i lartë dhe shumë momente dramatike, me vendosjen e rezultatit në sekondat e fundit.
12 sekonda para fundit, Musab Mala ngushtoi rezultatin në 90:89 me një gjuajtje të lirë, por skuadra e Pejës nuk arriti ta shfrytëzonte aksionin e fundit. Oshowen Williams gjuajti për tri pikë në çastet e fundit, por topi nuk shënoi, duke ia dhënë fitoren mysafirëve.
Te Ylli, më i dalluari ishte Scott Bamforth me 27 pikë, 5 asistime dhe 4 kërcime, ndërsa Brandon Huffman kontribuoi me double-double: 11 pikë e 11 kërcime. Antwan Scott shtoi 14 pikë dhe 7 asistime.
Te Peja, Jordan Johnson shënoi 18 pikë, 5 kërcime dhe 2 asistime, ndërsa Musab Mala përfundoi ndeshjen me 20 pikë, 4 asistime dhe 3 kërcime.
Me këtë fitore, Golden Eagle Ylli arrin në 7 fitore dhe 9 humbje, duke vijuar serinë pozitive, ndërsa GO+ Peja thellon krizën e saj me humbjen e tetë, duke mbajtur bilancin 8 fitore – 8 humbje. /GazetaExpress