Dorëzohet trajneri i Drenicës: S’mund ta përmbysim rezultatin 3:0 kundër Prishtinës - Gazeta Express
string(80) "dorezohet-trajneri-i-drenices-smund-ta-permbysim-rezultatin-30-kunder-prishtines"

Dorëzohet trajneri i Drenicës: S’mund ta përmbysim rezultatin 3:0 kundër Prishtinës

Gazeta Express

02/06/2020 20:15

Trajneri i Drenicës, Gani Sejdiu, ka thënë se skuadra e tij nuk ka aftësi dhe nuk është në gjendje ta përmbysë rezultatin prej 3:0 kundër Prishtinës në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale në Kupën e Kosovës, duke i humbur shpresat për ta arritur finalen edhe pse i ka edhe 90 minuta lojë në shtëpi.

Prishtina e mposhti 3:0 Drenicën në takimin e parë gjysmëfinal në Kupën e Kosovës të martën, në atë që ishte ndeshja e parë në futbollin kosovar pas një pushimi të gjatë detyruese për shkak të pandemisë koronavirus, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Ahmet Januzi dhe Meriton Korenica i shënuan golat e triumfit për t’i dhënë Prishtinës një epërsi të qëndrueshme në Fadil Vokrri në kryeqytet, para ndeshjes së kthimit pas dy javëve në Skenderaj.

Dhe Sejdiu nuk u beson lojtarëve të vet për një rikthim të ëndërruar për ta arritur finalen.

“Prishtina e meritoi fitoren plotësisht. Drenica nuk ka mundësi të shkojë në finale. Nuk është mirë të them si trajner, por nuk mund ta kthejmë rezultatin 3:0 kundër Prishtinës. Lojën na e humbi mungesa e vetëbesimit të lojtarëve”, trajneri i Drenicës Gani Sejdiu.

Gjërat kanë mundur të ishin plotësisht ndryshe dhe mbase në favor të Drenicës, sikur Hasan Hyseni të shënonte nga penalltia në minutën e 88-të kur Prishtina po fitonte 2:0.

“Momenti kryesor është humbja e penalltisë që do të ketë ndikim në ndeshjen e kthimit. Me 2:1 do t’i kishim gjasat reale në ndeshjen e kthimit. Rasti ma i mirë ishte penalltia të cilën e humbëm. Ekipi ishte e çorientuar në pjesën e parë, e pranoj. Nuk ishim në gjendje as tri kontakte mes vete t’i bënim. Na mungoi vetëbesimi, edhe pse pikërisht këtë ua kam kërkuar lojtarëve”, shtoi ai.

Sejdiu thotë se përqendrimi i skuadrës së tij tani do të jetë në Ipko Superligë, ku i duhet të luftojë për mbijetese. Drenica renditet në pozitën e shtatë me 30 pikë, vetëm katër larg zonës së rënies nga liga.

“Do të fokusohemi në kampionat sepse e kemi të vështirë mbijetesën”. /Gazeta Express/