"Debat historik" në Strasburg, publikohet lista: Këta janë përfaqësuesit e Kosovës e të Shqipërisë që do të flasin - Gazeta Express
string(110) "debat-historik-ne-strasburg-publikohet-lista-keta-jane-perfaqesuesit-e-kosoves-e-te-shqiperise-qe-do-te-flasin"

“Debat historik” në Strasburg, publikohet lista: Këta janë përfaqësuesit e Kosovës e të Shqipërisë që do të flasin

Lajme

Gazeta Express

16/04/2024 16:23

“Një debat historik do të nisë në Strasburg: A do t’ia hapë PACE derën anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Europës?”, Kështu shkruan në “X”, Gerald Knaus nga Iniciativa Europiane për Stabilitet, duke paralajmëruar debat dinamik në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, lidhur me kërkesën e Kosovës për anëtarësim.

Lista e folësve që do të marrin pjesë në këtë diskutim përpara votimit, është publikuar tashmë.

Lexo Edhe:

Deputetët kosovarë Enis Kervan, Arben Gashi dhe Saranda Bogujevci do të jenë anëtarët e delegacionit të Kosovës që do të flasin në Amablenë Parlamentare të Këshillit të Europës. Nga Shqipëria, ndërkaq janë katër përfaqësues që do ta marrin fjalën: Blerina Gjylameti, Lulzim Basha, Klotilda Bushka, Etilda Gjonaj, raporton Gazeta Express.

Në listë janë gjithsej 59 përfaqësues nga shtete të ndryshme që do të flasin, ndër të cilët 6 serbë.

Paraprakisht, në emër të grupeve politike do të flasin Iulian Bulai nga Rumania, Alexis Tsipras nga Greqia, Frank Schwabe nga Gjermania, Ingjerd Schie Schou nga Norvegjia dhe Zsolt Nemeth nga Hungaria.

Listën e diskutuesve të paralajmëruar në debatin e sotëm e publikoi edhe Kuvendi i Kosovës. 

Më herët gjatë ditës, Komiteti për Çështje Politike dhe Demokraci në Këshillin e Europës i ka hedhur poshtë të gjitha amandamentet që u propozuan nga delegacioni serb dhe disa deputetë italianë e një hungarez që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të bëhet kusht për anëtarësimin e Kosovës në KiE.

Ndërsa dje në Komitetin për Çështje Ligjore dhe të Drejta të Njeriut në Këshillin e Europës u votua unanimisht pro aplikimit të Kosovës për anëtarësim.

Kosova bëri një hap drejt anëtarësimit në Këshillin e Europës më 27 mars. Me gjithë votën kundër të Serbisë dhe dy vendeve të tjera, Komiteti për Politikë dhe Demokraci i KiE e miratoi raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, i cili rekomandon se vendi ika plotësuar kushtet për t’u anëtarësuar plotësisht në Këshillin e Europës.

Nëse Asambleja Parlamentare e jep dritën e gjelbër sot, atëherë fjalën përfundimtare për anëtarësimin e Kosovës duhet ta japë Këshilli i Ministrave të Këshillit të Europës në maj.

Delegacioni i Kosovës në Strasburg është optimist se janë siguruar votat e nevojshme për ta kaluar edhe këtë rund në procesin e anëtarësimit.

“Duket situatë e mirë, por kjo nuk do të thotë që e marrim për të mirëqenë. Do të punojmë deri në minutat e fundit që nesër ta kemi një ditë të suksesshme”, tha të martën në Frontal zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti. “Mbështetja është aty dhe besoj që nesër do ta kemi një lajm pozitiv nga diplomacia e Kosovës”, tha ai.