Darwin Nunez i është ofruar katër klubeve evropiane nga Al Hilal, sipas raportimeve, pasi skuadra saudite po përpiqet me çdo kusht të largojë sulmuesin uruguaian, i cili nuk bën më pjesë në planet e ekipit.
27-vjeçari pritet të largohet nga Al Hilal vetëm një vit pasi iu bashkua klubit nga Liverpooli në një transferim me vlerë 46.3 milionë funte.
Thuhet se Nunez përfiton rreth 400 mijë funte në javë tek Al Hilal, duke u renditur mes futbollistëve më të paguar në botë, por aventura e tij në Riad ka qenë larg pritshmërive.
Pas transferimit të Karim Benzemas në janar, Nunez u hoq nga lista e lojtarëve të Al Hilal për pjesën e dytë të sezonit.
Klubet saudite lejohen të regjistrojnë vetëm tetë futbollistë të huaj të lindur para vitit 2003 në listën prej 25 lojtarësh, ndërsa në mënyrë surprizuese, përveç Nunezit jashtë mbeti edhe ish-mbrojtësi i Arsenalit, Pablo Mari.
Pasi shënoi gjashtë gola në 14 ndeshje të kampionatit saudit sezonin e kaluar, gjithçka tregon se uruguaiani do të largohet nga klubi në javët në vijim.
Disa skuadra janë përmendur si destinacione të mundshme për të. Muajin e kaluar, mediumi italian “Tuttosport” raportoi se ish-trajneri i Manchester Unitedit, Ruben Amorim, tani në krye të Milanit, dëshiron ta transferojë sulmuesin uruguaian.
Së fundmi është përfolur edhe një kalim tek Atlanta United në MLS.
Megjithatë, sipas gazetarit me bazë në Stamboll, Yagız Sabuncuoglu, Al Hilal ende nuk ka marrë një ofertë të kënaqshme për transferimin e Nunezit dhe për këtë arsye ka nisur t’ua ofrojë lojtarin klubeve të tjera.
Madje, drejtuesit e Al Hilal kanë kontaktuar katër klubet më të mëdha të Superligës turke – Galatasarayn, Fenerbahcen, Besiktasin dhe Trabzonsporin – për t’i pyetur nëse janë të interesuara ta marrin Nunezin në huazim.
Po sipas raportimeve, zyrtarët e Al Hilal pritet të udhëtojnë drejt Turqisë në ditët e ardhshme për të zhvilluar bisedime.
Siç është raportuar më herët, Al Hilal e ka vënë Nunezin në dispozicion për huazim dhe për këtë është njoftuar edhe Barcelona, një klub që më parë është lidhur me një transferim të mundshëm të uruguaianit, sipas Sport.
Megjithatë, deri tani nuk ka pasur negociata zyrtare mes Barcelonës dhe klubit saudit.
Nunez është parë së fundmi në kampin stërvitor parasezonal të Al Hilal në Austri, por drejtuesit e klubit vazhdojnë të kërkojnë ta huazojnë në Evropë, me shpresën se ai do të rikthejë formën dhe reputacionin e tij për të siguruar më pas një transferim të përhershëm në një klub tjetër./GazetaExpress/