Dalin detaje të reja nga lëndimi i Jordan Hendersonit, pas ndeshjes me Meksikën - Gazeta Express
string(78) "dalin-detaje-te-reja-nga-lendimi-i-jordan-hendersonit-pas-ndeshjes-me-meksiken"

Futboll

Gazeta Express

08/07/2026 17:42

Dalin detaje të reja nga lëndimi i Jordan Hendersonit, pas ndeshjes me Meksikën

Futboll

Gazeta Express

08/07/2026 17:42

Babai i Jordan Henderson, Brian Henderson, ka zbuluar detaje të reja mbi dëmtimin e rëndë në krah që pësoi djali i tij pas fitores 3-2 të Anglisë ndaj Meksikës në 1/8 e finales së Kupës së Botës.

Henderson ishte rezervist i papërdorur në ndeshjen e zhvilluar në Mexico City, ku Anglia luajti 47 minutat e fundit, përfshirë kohën shtesë, me 10 lojtarë pasi Jarell Quansah u ndëshkua me karton të kuq direkt.

Mesfushori i Brentfordit arriti gjithsesi të ndëshkohej me karton të verdhë pas një përplasjeje pranë vijës anësore.

Megjithatë, incidenti shumë më serioz ndodhi pas përfundimit të ndeshjes, kur Henderson tentoi të kapërcente tabelat reklamuese për t’u bashkuar me lojtarët e Anglisë që po festonin me tifozët.

Teksa po kalonte mbi to, ai humbi ekuilibrin dhe u rrëzua, duke rënë direkt mbi krah.

Hendersoni mori menjëherë ndihmën e stafit mjekësor, ndërsa shokët e skuadrës dhe anëtarët e stafit teknik u mblodhën pranë tij. Atij iu dha oksigjen përpara se të largohej me barrelë drejt një spitali në Mexico City.

Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, e përshkroi dëmtimin si “shumë, shumë serioz”, ndërsa më vonë u konfirmua se Hendersoni do t’i nënshtrohej një operacioni për një frakturë në kyçin e dorës, dëmtim që i jep fund pjesëmarrjes së tij në Kupën e Botës.

Vetë Henderson reagoi në rrjetet sociale pas lëndimit, edhe pse nuk e përmendi drejtpërdrejt incidentin me tabelat reklamuese.

“Një natë që do ta kujtoj përgjithmonë! Çfarë paraqitjeje e jashtëzakonshme përballë të gjitha sfidave. Jam shumë krenar që jam pjesë e kësaj skuadre të veçantë.

Faleminderit për gjithë mbështetjen. Të shtunën na pret një tjetër sfidë e madhe,” shkroi ai.

Në komentet e postimit, Henderson mori mesazhe mbështetjeje nga bashkëlojtarët e Anglisë, Marcus Rashford, Jude Bellingham, Declan Rice, Anthony Gordon dhe Elliot Anderson.

Ende nuk dihet nëse 36-vjeçari do të kthehet në Angli apo do të qëndrojë me pjesën tjetër të skuadrës gjatë turneut.

Ndërkohë, babai i tij, Brian Henderson, ka zbuluar shkallën e vërtetë të dëmtimit.

Duke folur për “Daily Mail”, ai tha se Jordan “e ka shkatërruar plotësisht” parakrahun e majtë dhe se operacionin do ta kryejë një kirurg me përvojë në trajtimin e dëmtimeve të ngjashme te lojtarët e NFL-së.

“Në fillim mendova se thjesht ishte rrëzuar… ndoshta kishte gërvishtur kyçin e dorës,” tha ai.

“Nuk e kisha idenë që ishte aq serioze derisa po intervistonin Harry Kane dhe pashë një barrelë që kaloi pranë me Jordanin mbi të. E pashë që kishte maskë oksigjeni.

Qëndrova zgjuar gjithë natën duke pritur lajme”, shtoi ai.

Sipas raportimeve, trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, do t’u japë udhëzime të gjithë lojtarëve që të mos kapërcejnë më tabelat reklamuese, për të shmangur përsëritjen e një incidenti të tillë.

Në intervistën për “BBC Sport” pas fitores ndaj Meksikës, Tuchel deklaroi: “Ai ka dëmtuar kyçin e dorës. Ndodhet në spital, kështu që është një dëmtim mjaft serioz. Nuk përputhet aspak me atmosferën e mbrëmjes fakti që Jordan nuk është më me ne. Nuk e di ende procedurën dhe çfarë do të ndodhë”.

Sipas rregullave të FIFA-s, Henderson nuk mund të zëvendësohet në listën e Anglisë, pasi zëvendësimet për shkak dëmtimi ose arsye të tjera lejohen vetëm deri përpara zhvillimit të ndeshjes së parë të një kombëtareje në Kupën e Botës./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement