Ruben Amorim ka bërë të qartë se Christian Pulisic dhe Luka Modric do të jenë pjesë shumë e rëndësishme e Milanit sezonin e ardhshëm, ndërsa mënyra se si e përshkroi rolin e amerikanit ka shtuar spekulimet se Rafael Leao mund të largohet nga klubi.
Trajneri i ri i Milanit mbajti këtë pasdite konferencën e tij të parë për shtyp, në krah të pronarit të “RedBird”, Gerry Cardinale.
Edhe pse u përpoq të mos fliste për individë, duke theksuar se preferon të diskutojë për skuadrën në tërësi, Amorim u pyet për dy futbollistë që po shqyrtojnë të ardhmen e tyre pas Kupës së Botës.
“Pulisic është një lojtar shumë i talentuar. Natyrisht, ai pësoi sërish një dëmtim në Kupën e Botës dhe duhet ta vlerësojmë gjendjen e tij,” tha Amorim.
“Ai është perfekt për mënyrën se si unë e mendoj futbollin, veçanërisht këtu në Itali, ku skuadrat mbrohen shumë mirë dhe ka pak hapësira mes vijave. Ai është një lojtar që mund të bëjë diferencën pikërisht në ato hapësira”, shtoi ai.
Kur u pyet se në cilin pozicion e sheh Pulisic në skemën e tij, Amorim buzëqeshi lehtë dhe ngriti supet, duke lënë të kuptohej se e dinte mirë se deklarata e tij do të nxiste diskutime.
“Kam një ide të qartë se ku dua ta aktivizoj. Sidomos në krahun e majtë, duke hyrë brenda me këmbën e djathtë, ai është perfekt në atë pozicion. Mund të luajë edhe në krahun tjetër, por edhe më në qendër, jo domosdoshmërisht i ngjitur pas vijës anësore”, u shpreh ai.
Pulisic ka luajtur pothuajse gjithmonë në krahun e djathtë te Milani, pasi pozicioni në të majtë është mbajtur nga Rafael Leao. Kjo deklaratë ka shtuar dyshimet se portugezi mund të mos jetë më pjesë e skuadrës sezonin e ardhshëm.
“Unë i njoh cilësitë e Pulisic. Besoj shumë tek ai dhe do ta mbështesim plotësisht në klub. E di që mori kritika pas eliminimit nga Kupa e Botës, por jam këtu për t’ju thënë se ne besojmë shumë tek ai. Kemi një plan të qartë për të shfrytëzuar të gjitha cilësitë që ai ka, ndaj mund të them se Pulisic është shumë i rëndësishëm për ne,” shtoi trajneri portugez.
Një tjetër futbollist që ende nuk ka vendosur për të ardhmen është Luka Modric, i cili nuk ka përjashtuar mundësinë e pensionimit apo një transferimi në MLS pas eliminimit të Kroacisë nga Kupa e Botës.
“Modric është një lojtar që duam ta mbajmë për përvojën e tij. Kam folur me të dy herë. Nëse është e nevojshme, do të shkoj vetë ta marr,” tha Amorim.
“Ai luajti shumë mirë dhe është një pikë kyçe për ne, sidomos në fillim të ndërtimit të lojës dhe mbajtjes së topit. Nuk po them se do të luajë çdo ndeshje, por ne duam shumë të llogarisim tek Modric sezonin e ardhshëm”, bëri me dije ai.
“E di që drejtuesit kanë folur me Modricin, edhe unë kam folur me të, ndaj shpresoj që ta kemi me ne brenda pak ditësh. Do t’i jap disa ditë pushim për t’u rikuperuar”, e mbylli portugezi./GazetaExpress/