Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, deklaroi në përfundim të punimeve të samitit të NATO-s se Aleanca Atlantike mbetet e bashkuar, e vetëdijshme për sfidat me të cilat përballet dhe e vendosur të forcohet më tej.
“Ne duam të respektojmë angazhimet për rritjen e shpenzimeve në sektorin e mbrojtjes. Kjo është diçka që po e bëjmë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë, por në mënyrë të qëndrueshme, duke përcaktuar vetë afatet, mënyrat dhe prioritetet, në përputhje me situatën e përgjithshme”, u shpreh Meloni.
Ajo theksoi gjithashtu se fondet e investuara në mbrojtje duhet të përfundojnë te industria italiane dhe të shërbejnë për mbështetjen e kërkimit teknologjik në vend.
Sa i përket luftës me Iranin, kryeministrja italiane nënvizoi se Italia ka mbajtur që në fillim një qëndrim të qartë, duke deklaruar se “Italia tha se nuk do të merrte pjesë në sulme kundër Iranit dhe nuk mori pjesë në sulme kundër Iranit”.
Meloni përsëriti gjithashtu se Italia është e gatshme të ndihmojë në pastrimin e Ngushticës së Hormuzit nga minat detare, “pavarësisht lajmeve tepër të këqija që kanë mbërritur nga Irani gjatë orëve të fundit”.
E pyetur për postimin e fundit të Donald Trump, i cili lidhej drejtpërdrejt me të, kryeministrja italiane refuzoi të bënte komente. Duke iu referuar marrëdhënieve të mira që kishte pasur në të kaluarën me presidentin amerikan, ajo theksoi se “nuk pendohet për asgjë nga ato që ka bërë”.
Meloni shpjegoi se kishte vendosur të investonte në unitetin e Perëndimit dhe shtoi se “me Trump ka ngjashmëri në çështje si emigracioni dhe kultura woke”.
Në përfundim, kryeministrja italiane deklaroi se Italia do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, ndërsa bëri të ditur se vijojnë bisedimet me Francën për një mbështetje të përbashkët ndaj Libanit pas përfundimit të misionit UNIFIL. /Panorama