Zgjerimi i BE në Ballkanin Perëndimor shkon në tryezat më të larta të Brukselit.
Radio Europa e Lirë citon një letër të Presidentit të Këshillit të BE, Antonio Costa, dërguar liderëve të Unionit, për të zhvilluar një diskutim strategjik ne vjeshte për zgjerimin dhe reformat, në frymën e procesit të zgjerimit.
“Në dritën e vrullit të ri në procesin e zgjerimit dhe duke rikujtuar Deklaratën e Granadës, Këshilli Evropian do të zhvillojë në takimin e tetorit 2026 një diskutim strategjik mbi zgjerimin dhe reformat”, tha Costa.
Kjo ftesë vjen dy javë pas samitit të BE-Ballkan Perëndimor në Tivat Në Malin e Zi, që sipas Brukselit është vlerësuar si një ngjarje që ka sjellë krijimin e një vrulli të ri në procesin e zgjerimit.
Megjithatë, ky diskutim strategjik do të përqëndrohet më tepër tek qasja e re që pritet të ndjekë BE në kuadër të procesit të zgjerimit.
Janë tre propozime javët e fundit që do të futen në axhendë, që propozojnë integrim gradual të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë integrim më të shpejtë në zonën e lëvizjes së lirë Shengen dhe në tregun e përbashkët ekonomik europian, por për një periudhë prove këto vende nuk do të kenë të drejtë veto-je.
Në fillim propozimi erdhi nga Gjermania, më pas iu bashkua edhe Franca, dhe në fund edhe vendet e Beneluksit.
Megjithatë, asnjë prej propozimeve nuk është pranuar ende dhe Brukseli po vijon me metodën aktuale të zgjerimit, anëtarësim me të drejta të plota në BE. Duke filluar me Malin e Zi në 2028, dhe pas saj menjëherë Shqipëria në 2030.