SHBA-ja dhe Irani kanë arritur një marrëveshje që do t’i japë fund bllokadës amerikane të porteve iraniane, do ta rihapë Ngushticën e Hormuzit dhe do të nisë 60 ditë negociata bërthamore.
CNN shkroi për çfarë dihet – dhe çfarë nuk dihet – për çështjet kryesore:
Ngushtica e Hormuzit
SHBA-ja tha se do të rihapet pasi marrëveshja të nënshkruhet të premten, ndërsa Presidenti Trump deklaroi se kalimi nëpër këtë rrugë ujore do të jetë “përgjithmonë pa tarifa”.
Por dy agjenci gjysmëzyrtare iraniane të lajmeve raportuan të hënën se, ndërsa Teherani do të lejojë transitin e lirë gjatë periudhës 60-ditore në të cilën do të zhvillohen negociatat e mëtejshme, ai planifikon të vendosë tarifa pas kësaj periudhe. Agjencia Fars tha se Irani “synon të përfitojë financiarisht nga trafiku tregtar detar përmes Ngushticës”.
Konsideratat e sigurisë do të ndikojnë gjithashtu në kohën e çdo rihapjeje. CNN ka raportuar më herët se Irani ka vendosur mina në ngushticë dhe negociatorët do të duhet të arrijnë marrëveshje për mënyrën e largimit të tyre.
Armëpushimi
Pakistani, i cili ndërmjetësoi marrëveshjen, tha se të dyja palët kishin “deklaruar ndërprerjen e menjëhershme dhe të përhershme të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë Libanin”.
Por Presidenti amerikan Donald Trump nuk e përfshiu Libanin në njoftimin e tij dhe Izraeli, i cili nuk është palë në marrëveshje, tha se forcat e tij nuk do të tërhiqen nga Libani.
Çështjet bërthamore
SHBA-ja tha se Irani dha garanci se nuk do të sigurojë kurrë një armë bërthamore. Por nuk ka angazhime konkrete lidhur me programin bërthamor të Iranit ose rezervat e tij të uraniumit. Kjo çështje është shtyrë për më vonë.
Sanksionet dhe fondet e ngrira
Irani tha se negociatat bërthamore 60-ditore do të fillojnë vetëm pasi SHBA-ja të lirojë miliarda dollarë fonde të ngrira. Por një zyrtar amerikan tha se nuk do të lirohen para pa angazhime të qarta nga Irani.
Ekonomia
Çmimet e naftës ranë në nivelet më të ulëta në tre muaj pas njoftimit, por mbeten rreth 10 dollarë për fuçi mbi nivelet e tyre para luftës. Një rimëkëmbje më e gjerë ekonomike ka të ngjarë të zgjasë me muaj.