Çeltina vulgare / Sa e ke rrogën - Gazeta Express
string(30) "celtina-vulgare-sa-e-ke-rrogen"

OP/ED

Gazeta Express

23/08/2022 15:56

Çeltina vulgare / Sa e ke rrogën

OP/ED

Gazeta Express

23/08/2022 15:56

Si reagoni ku jua bëjnë pyetjen idiotike: Sa e keni rrogën? A jeni të martuar? A keni fëmijë?

Arben Idrizi

Lexo Edhe:

4.

Si ndiheni kur jeni në ndonjë vend duke pritur, apo në ndonjë moment duke udhëtuar dhe bashkëpritësit a bashkudhtarët, të panjohur a paksa të njohur, ju vërsulen me pyetjet: “Ku punoni?”, “Sa e keni rrogën?”, “A jeni të martuar?”, “A keni fëmijë?”?

Në siklet? Ju vjen t’ua mbyllni sqepin? Do të donit t’ua tregonit vendin me ndonjë mësim që s’do ta harronin përjetë? Nuk e keni problem? Nuk e honepsni dot, por për shkak të natyrës suaj të druajtur, përtesës për t’u ballafaqur, ju thjesht e lëshoni veten, ndoshta edhe me shpresën se me aq do të marrë fund gjithë ai muhabet për dreq, dhe i përgjigjeni – në të vërtetë i rrëfeheni – fije e për pe, ndonjëherë ndoshta edhe për gjëra që s’ia thoni as vetes pa zë?

Apo taksisti? Cili nga ju nuk ka histori marrjesh në pyetje të tilla?

Por, të gjithë ata e kanë krejt të natyrshme, për ta s’ka asgjë të keqe t’jua bëjnë pyetje të tilla, sepse s’e kanë për asgjë, madje do t’ju luteshin t’jua parashtroni pyetjet e tilla, nëse rastësisht ju shkon mendja (e keni pafytyrësinë) t’i injoroni. Duan, natyrshëm dhe patjetër, t’ju japin informatat atë që s’dëshironi t’i keni, që luftoni të mos i keni. Mirëpo, çështja është – duke qenë se nuk e kanë fare për të keq dhe naiviteti i tyre është edhe për keqardhje – si të reagosh ndaj tyre? Ka nga ta, ndaj të cilëve, nëse në tërbim e sipër do t’ua mbyllje sqepin, do të ndiheshe tepër keq pastaj. Pa përjashtuar supozimin se, naiv a jo naiv, secili e ka hak mësimin e kërkuar; se shumëkush duhet ta pësojë që të mësojë dhe sado rëndë ta përjetojë mësimin, do (duhet) të të jetë mirënjohës në të ardhmen.

S’ka zgjidhje të gatshme, apo jo?! Në dorën tuaj ta menaxhoni situatën.

***

Në të vërtetë, taksirate të tilla mund t’ju zënë edhe në shtëpinë tuaj, me mysafirët tuaj (me të cilët edhe njiheni prej kohësh), pa të keqen tuaj.

Te tregimi ‘Përqendrim automobili’, Etgar Keret duket ta ketë gjetur një zgjidhje të lakmueshme, sado që qëllimi kishte qenë krejt tjetër. Po të mirat e papritura shumëherë janë më të çmueshme se sa ato të priturat, andaj s’ka të sharë një fat i tillë.

Narratori, pra, ka vendosur një përqendrim automobili, një kob metali të shtypur, mes divanit dhe stereos, në dhomën e ndejës. Rrjedhimisht, kur vijnë këta mysafirët më bezdisës se insektet në verë, nuk do t’i vërsulen me pyetjet e tyre idiotike (“Ku punoni?”, “Sa e keni rrogën?”, “A jeni të martuar?”, “A keni fëmijë?”?). Po e bëtë një gjë të tillë, pra, keni gjetur shpëtimin. Duke qenë se një kub i shtypur i tillë bie në sy si asgjë tjetër brenda në dhomë, ata të shkretë do t’ju vërsulen menjëherë me pyetjet rreth tij. Nga këtu e tutje, thjesht duhet t’ia lironi frerët imagjinatës dhe t’i shërbeni ata, përulësisht, me të gjitha të dhënat që mundeni, për të cilat nuk do t’ju jenë mirënjohës si për ato rreth martesës e rrogës, ama kush po ua var, madje, mirë ta kenë.

***

Me pak dozë moskokëçarjeje dhe mosfaljeje, kushedi, edhe mund të përfundohet në një cinizëm që të lë pa gojë. Mund të merren përpara, kushedi, në ndonjë monolog (po qenë në sintoni edhe në ndonjë dialog) mbi budallallëqe të llojit konspirativ, si ato mbi alienët (por do të ishte e rrezikshme nëse shtireni se jeni nga ata hajvanët që mendojnë se Covid-19 është konspiracion). Po sikur të provohej t’u flitej – deri sa t’i kapë dhimbja e kokës – për Pindarin a Danten; Moxartin a Rahmaninovin; teorinë e evolucionit; religjionin si injorancë; eutanazinë; mungesën e një krematori; martesat e gjinive të njëjta; të drejtën e çifteve homoseksuale për adoptim të fëmijëve?

23.08.2022