Kryesuesi i delegacionit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE), Iulian Bulai, ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë janë zhvilluar në mënyrë të rregullt dhe pa incidente madhore, por ka theksuar se rënia e pjesëmarrjes së qytetarëve duhet të shihet si “thirrje zgjimi” për klasën politike, raporton Ekonomia Online.
Pas vizitës vëzhguese të procesit zgjedhor, Bulai tha në një konferencë për media se Kosova është përballur me zgjedhje për herë të tretë brenda 16 muajve, si pasojë e mungesës së marrëveshjeve politike për formimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit.
“Për herë të tretë në 16 muaj, votuesit në Kosovë u thirrën në zgjedhje pas pamundësisë së partive politike për të arritur marrëveshje dhe për të zgjedhur një president, gjë që rezultoi me shpërndarjen e Kuvendit. Delegacioni ynë e mirëpret zhvillimin e rregullt dhe të qetë të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë më 7 qershor 2026, të cilat u mbajtën pa incidente madhore”, tha ai.
Bulai theksoi se zgjedhjet janë zhvilluar në një atmosferë lodhjeje dhe frustrimi të votuesve, ndërsa fushata zgjedhore, sipas tij, është karakterizuar nga mungesa e debateve substanciale dhe zhvendosja drejt komunikimit digjital.
“Këto zgjedhje u zhvilluan në një sfond të frustrimit dhe lodhjes së votuesve. Fushata tradicionale ishte e zbehtë, e karakterizuar nga mungesa e debateve substanciale. U vërejt një zhvendosje drejt fushatës digjitale. Në këtë kontekst, ne i përgëzojmë qytetarët për pjesëmarrjen në proces, por rënia e ndjeshme e pjesëmarrjes duhet të jetë një thirrje zgjimi”, tha ai.
Ai shtoi se në vendvotimet e vizituara nga delegacioni, procesi është zhvilluar në mënyrë profesionale dhe të qetë, megjithëse janë vërejtur disa probleme me përfaqësimin gjuhësor në disa komuna.
“Zyrtarët zgjedhorë treguan kompetencë dhe atmosfera ishte e qetë dhe e rregullt. Megjithatë, vështirësitë gjuhësore dhe përfaqësimi i pamjaftueshëm në disa raste kanë krijuar fërkime të vogla. Përfaqësimi i barabartë etnik në komisionet zgjedhore duhet të përmirësohet”, u shpreh Bulai.
Sipas tij, janë vërejtur edhe përmirësime në menaxhimin e procesit zgjedhor, por edhe sfida që lidhen me qasjen në vendvotime dhe përfshirjen e komuniteteve.
Bulai vlerësoi organizimin teknik të zgjedhjeve dhe punën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për certifikimin e subjekteve politike dhe kandidatëve.
“Pavarësisht afateve të ngushta, zgjedhjet ishin teknikisht të organizuara mirë dhe gjithëpërfshirëse”, tha ai.
Ai shtoi se ndryshimet në rregullat e KQZ-së kanë krijuar vështirësi për regjistrimin e vëzhguesve të shoqërisë civile, ndërsa theksoi rëndësinë e transparencës në numërimin e votave.
Bulai gjithashtu përmendi pjesëmarrjen e diasporës, duke thënë se ndryshimet e fundit në rregullat për dokumentet identifikuese kanë shkaktuar konfuzion.
Ai tha se delegacioni ka marrë raportime për pretendime mbi keqpërdorim të burimeve shtetërore gjatë fushatës, si dhe për ndikim të jashtëm në procesin zgjedhor.
“U raportuan pretendime për keqpërdorim të burimeve administrative dhe për ndikim nga jashtë, përfshirë edhe ndërhyrje nga Serbia për të ndikuar votën e serbëve të Kosovës”, tha ai.
Bulai ngriti gjithashtu shqetësime për dezinformim dhe përdorim të inteligjencës artificiale gjatë fushatës, duke theksuar rrezikun për integritetin e procesit zgjedhor.
Në fund, ai u bëri thirrje partive politike që të angazhohen në dialog konstruktiv për formimin e institucioneve dhe zgjedhjen e presidentit, duke paralajmëruar për rrezikun e zhgënjimit të mëtejshëm të qytetarëve.