Shala: KPM kundërligjshëm mori vendime të pasafatshme për shqiptim të masave ndaj mediave - Gazeta Express
string(88) "shala-kpm-kunderligjshem-mori-vendime-te-pasafatshme-per-shqiptim-te-masave-ndaj-mediave"

Lajme

Gazeta Express

08/06/2026 11:30

Shala: KPM kundërligjshëm mori vendime të pasafatshme për shqiptim të masave ndaj mediave

Lajme

Gazeta Express

08/06/2026 11:30

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka vlerësuar se vendimet e Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM) për gjobitjen e mediave lidhur me shkeljet e pretenduara gjatë fushatave zgjedhore janë të kundërligjshme.

Këtë, IKD e arsyeton me faktin se këto vendime janë shumë kohë pas afateve të përcaktuara me Rregullore.

Gzim Shala, hulumtues i lartë në IKD, gjatë prezantimit të raportit tha se kjo mënyrë e veprimit bie ndesh me vetë Rregulloren në fjalë pasi që ajo thekson se ankesat për shkelje gjatë fushatës zgjedhore duhet të trajtohen në afate të shkurtra.

Shala tha se shqyrtimi fillestar duhet të bëhet brenda katër orëve nga pranimi i ankesës, mediat kanë 24 orë kohë për t’u përgjigjur, ndërsa KPM duhet të marrë vendim brenda pesë ditëve nga pranimi i ankesës. Në rast të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, afati maksimal për vendimmarrje është 60 orë.

“Këto afate nuk janë vendosur rastësisht. Ato janë vendosur sepse shkeljet gjatë fushatëz zgjedhore kanë efekt të menjëhershëm dhe nëse një shkelje ndodh gjatë fushatës, ajo duhet të trajtohet vetëm gjatë fushatës sepse vetëm atëherë vendimi mund të ketë efekt. Në rastin konkret kjo nuk ka ndodhur”, tha ai.

Sipas Shalës, Komisioni i Pavarur i Mediave, që nga 21 janari 2025 e deri më 5 maj 2026, kur pas emërimit të përbërjes së re zgjodhi kryetarin dhe nënkryetaren, për shkak të mungesës së kuorumit, ka qenë jofunksional.

Ai tha se gjatë kësaj periudhe janë mbajtur zgjedhjet e rregullta për Kuvend të Kosovës më 9 shkurt 2025, zgjedhjet lokale të datës 12 tetor 2025, balotazhi i 9 nëntorit 2025, si dhe zgjedhjet e parakohshme për Kuvend të Kosovës me datë 28 dhjetor 2025.

Ndërsa, KPM-ja sipas IKD-së nuk është konstituuar deri në maj të 2026-ës. Sipas IKD-së, KPM pas konstituimit nuk ka trajtuar vetëm raste të reja por iu është kthyer edhe rasteve të akumuluara gjatë fushatave zgjedhore në vitin paraprak duke shqiptuar gjoba dhe vërejtje për shkelje të pretenduar të Rregullores.

“Kjo vendimmarrje e jashtafatshme është vendimmarrje e kundërligjshme. Arsyetimi i KPM-së ka qenë se janë vetëm udhezueses”, tha Shala.

Sipas hulumtuesit, IKD-ja kundërshton argumentin e KPM-së se këto afate kanë karakter vetëm udhëzues. Sipas IKD-së, nëse afatet procedurale konsiderohen jo detyruese, atëherë edhe vetë rregullorja humb forcën e saj detyruese dhe nuk mund të përdoret si bazë për shqiptimin e sanksioneve ndaj mediave.

“Nuk ka asnjë logjikë juridike që dispozitat materiale të rregullores të jenë të detyrueshme për mediat, ndërsa dispozitat procedurale të së njëjtës rregullore të konsiderohen vetëm udhëzuese për KPM-në. Rregullorja ose zbatohet si tërësi, ose nuk mund të përdoret në mënyrë selektive vetëm për të sanksionuar palët”, thuhet edhe në raportin e IKD-së.

Tutje, në raport IKD argumenton se nuk mund të pranohet si argument mosfunksionaliteti i KPM-së për të pezulluar rrjedhjen e afateve.

IKD pretendon se një përjashtim i tillë nuk është paraparë as me ligj dhe as me rregullore dhe se ligjshmëria nuk mund të varet nga rrethana të brendshme organizativ të organit administrativ.

“Neni 23 përcakton se, me qëllim të zbatimit të dispozitave të rregullores sipas afateve të parapara, KPM ndërmerr masa të veçanta. Këto masa hyjnë në fuqi një javë para fillimit të fushatës zgjedhore dhe përfundojnë pas mbylljes së procesit zgjedhor. Për më tepër, paragrafi 4 i këtij neni përcakton se masat e veçanta vlejnë dhe janë të aplikueshme vetëm gjatë kohës së zgjedhjeve dhe nuk mund të zbatohen dhe të kenë efekt ligjor pas mbylljes së procesit zgjedhor. Kjo dispozitë e vërteton edhe një herë se e gjithë logjika e kësaj rregulloreje është e lidhur me kohën e zgjedhjeve, jo me vendimmarrje retroaktive pas kalimit të afateve ligjore”, thuhet në raport. /BetimipërDrejtësi

Advertisement
Advertisement
Advertisement