Bowen u kërkon falje tifozëve të West Hamit - Gazeta Express
string(43) "bowen-u-kerkon-falje-tifozeve-te-west-hamit"

Futboll

Gazeta Express

26/05/2026 17:30

Bowen u kërkon falje tifozëve të West Hamit

Futboll

Gazeta Express

26/05/2026 17:30

Kapiteni i West Ham United, Jarrod Bowen, u ka kërkuar falje tifozëve pas rënies së klubit nga Premier League.

Qëndrimi 14-vjeçar i “Çekiçëve” në elitën e futbollit anglez përfundoi të dielën, pavarësisht fitores 3-0 ndaj Leeds United në javën e fundit të sezonit.

Bowen reagoi përmes rrjeteve sociale, duke e cilësuar rënien si momentin më të rëndë të karrierës së tij. Sulmuesi, i cili shënoi golin fitues në finalen e Conference League në vitin 2023, pranoi se skuadra nuk ishte në nivelin e duhur.

“Është e vështirë të shkruash diçka të tillë kur ndien vetëm turp dhe dhimbje. Mund të shkruaja shumë për të shpjeguar ku shkoi keq ky sezon, por ajo që meritoni nga unë është një kërkimfalje”, shkroi Bowen.

Ai shtoi se triumfi në Pragë kishte qenë nata më e bukur e karrierës së tij, ndërsa e diela, kur West Hami ra nga liga, ishte më e keqja.

“Nuk ishim mjaftueshëm të mirë. Kaq e thjeshtë. Dhe për këtë arsye sezoni përfundoi kështu”, tha kapiteni i West Hamit.

Pavarësisht krizës dhe pakënaqësive ndaj drejtuesve të klubit, Bowen falënderoi tifozët për mbështetjen e vazhdueshme gjatë gjithë sezonit.

“Ju nuk na zhgënjyet asnjëherë. Mbështetja në shtëpi dhe jashtë nuk ndryshoi kurrë, edhe kur ne nuk ishim në nivelin e duhur në fushë. Duhej t’ju jepnim më shumë. Ju meritonit më shumë”, theksoi ai.

Trajneri Nuno Espirito Santo, i cili zëvendësoi Graham Potterin në shtator, pritet të largohet pas rënies nga liga. Edhe pse skuadra pati përmirësime nën drejtimin e tij, portugezi nuk arriti ta nxirrte West Hamin nga zona e rrezikut.

“Është një moment trishtimi i thellë për të gjithë ne në klub. Ishte një ditë e vështirë dhe një mision i vështirë. Humbëm privilegjin për ta vendosur vetë fatin tonë”, deklaroi Nuno pas ndeshjes.

Tani West Hami do të përballet me një verë të vështirë rindërtimi, ndërsa pritet të ketë largime dhe ndryshime të mëdha në skuadër.

Bowen, megjithatë, ka theksuar se fokusi i tij mbetet rikthimi i klubit në Premier League.

“Një gjë që e di për këtë klub është se ka dëshirën dhe luftën për t’u rikthyer. Ky klub i përket Premier League dhe meriton të kthehet sa më shpejt”, përfundoi ai. /GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement